Jeta në Kosovë diskuton për arrestimet nga Serbia

Jeta në Kosovë, këtë të enjte, diskuton për arrestimet e fundit nga shteti serb. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

PAK HISTORI PËR JETËN NË KOSOVË

30 nëntor 2010  

Prej transmetimit të parë në shtator të vitit 2005, Jeta në Kosovë është emisioni më i shikuar i çështjeve aktuale në vend.

 

Fillimisht, emisioni përbëhej vetëm prej debatit njëorësh që transmetohej çdo dy javë, mirëpo falë suksesit të emisionit, shikueshmërisë së lartë si dhe mbështetjes nga shikuesit, Jeta në Kosovë u pasurua më shumë në përmbajtje dhe kaloi në transmetim javor arriti të prodhojë dhe transmetojë program dyorësh.

Përveç debatit në studio, emisioni përmban edhe rubrika të tjera, të cilat e paraqesin jetën në Kosovë dhe sfidat e përditshme të qytetarëve. Në pesë vitet e fundit BIRN ka prodhuar mbi 300 episode të emisionit javor Jeta në Kosovë, të cilat që nga fillimi u transmetuan dhe vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik të Kosovës, RTK, në kohë primetime, çdo të enjte duke filluar prej 20:20.

Jeta në Kosovë numëron një staf prej mbi 40 gazetarëve, hulumtuesve, monitoruesve dhe stafit teknik e administrativ.

Përmes moderimit vigjilent, reportazheve hulumtuese dhe pyetjeve sfiduese në studio, emisioni Jeta në Kosovë mundohet që në të jetë mbikëqyrës sa më efikas i proceseve të rëndësishme në vend, gjithmonë duke shtyrë për transparencë, llogaridhënie dhe reformim demokratik.

PËRMBAJTJA E EMISIONIT

Emisioni Jeta në Kosovë për së afërmi përcjell aktivitetet e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, shqetësimet e përditshme të qytetarëve, çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet joshqiptare në Kosovë si dhe ato të ekonomisë, të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes,dhe shërbimet publike, me ç'rast përmes debatit televiziv ngritet problemi dhe kërkohet përgjegjësia publike e zyrtarëve ndaj qytetarëve të cilët i kanë votuar.

Emisioni gjithashtu përfshin reportazhe nga terreni mbi çështjet në fjalë, pyetje dhe përgjigje sfiduese dhe të drejtpërdrejta për vendimmarrësit dhe palët e prekura si dhe debat të nxehtë në studio. Në këtë mënyrë, emisioni mbulon detajisht çështjet më të rëndësishme politike dhe shoqërore në Kosovë që dalin në pah brenda një jave, me pjesëmarrje të të dy anëve të argumentit.

Krahas reportazheve në terren, reportazhe televizive transmetohen gjithashtu, në mënyrë për të nxitur debatin në studio si dhe për të dhënë një pasqyrë më të qartë të problemeve të diskutuara. Shumë nga reportazhet e transmetuara kanë zbuluar raste të shumta të aferave korruptive, konfliktit të interesit, keqpërdorimeve si dhe intervista ekskluzive.

Me kohë emisionit iu shtuan pjesë të reja ndër të cilat është rubrika Kulmi i Javës, e cila kujdeset që të sjellë shembuj të mirë të nismës pozitive dhe vullnetare të shërbyesve civil dhe qytetarëve të Kosovës, me qëllim të promovimit të iniciativave të mira qytetare.

THYERJA E TABUVE

Edhe pse ngjarjet e fundit në jetën dhe zhvillimet politike në Kosovë janë shpesh tema për të cilat diskutohet në emisione, ato nuk janë të vetmet që provokojnë debatin në studio. Emisioni Jeta në Kosovë ka shtjelluar edhe shumë çështje kundërthënëse, duke u bërë kështu emisioni i parë që ka thyer tabut mbi temat e ndjeshme si homoseksualizmi, akuzat për krime lufte dhe liria e shprehjes.

 

Në këtë mënyrë Jeta në Kosovë u ka mundësuar shikuesve të saj që të njihen me çështje të padiskutuara më parë në publik, për shkak të ndjeshmërisë dhe “paprekshmërisë” së tyre.

Me trajtimin e tabuve të tilla dhe çështjeve tjera kundërthënëse, emisioni synon të vetëdijësojë opinionin publik që t’u qaset këtyre temave me mendje të hapur nga një perspektivë e re.

DEBATET ZGJEDHORE DHE KOMUNALE

Përveç debateve të përjavshme në studio, Jeta në Kosovë tashmë ka fituar nam dhe identifikohet edhe me organizimin e debateve zgjedhore dhe pas-zgjedhore nëpër komuna të Kosovës, përfshirë edhe ato komuna të vogla të cilat rrallëherë janë subjekt i mediumeve kombëtare.

Me rastin e zgjedhjeve komunale të nëntorit 2007, Jeta në Kosovë organizoi 51 debate publike zgjedhore (rundi i parë dhe rundi i dytë i zgjedhjeve), që njëherësh ishin edhe të parat e llojit që mblodhën në një panel diskutimi kandidatët për kryetarë të secilës komunë në Kosovë.

 

Kështu përmes pyetjeve sfiduese që iu parashtruan kandidatëve, debatet zgjedhore ua mundësuan qytetarëve të informohen më mirë mbi programet politike të kandidatëve për kryetar si dhe të shohin se cili kandidat i përfaqësonte më së miri interesat e tyre.

Ndërsa si vazhdim i debateve zgjedhore, në vjeshtë të vitit 2008 rrodhën debatet komunale Jeta në Komunë, që ishin përcjellje e punës dhe përmbushjes së premtimeve që kryetarët kishin dhënë gjatë fushatës parazgjedhore.

 

Edhe këto debate zgjeruan mbulueshmërinë e tyre në çdo komunë të Kosovës, duke i dhënë hapësirë mediale edhe komunave më të vogla në Kosovë dhe duke ngritur ndjeshëm transparencën e qeverisjes lokale.

 

DONATORËT

BIRN-i në Kosovë mbështetet në mënyrë bujare nga donatorët në vijim:

Ndihma Kombëtare për Demokraci, NED mbështetë projektin kryesor të BIRN-it, debatet javore televizive “Jeta në Kosovë”. http://www.ned.org/

Fondacioni Vëllezërit Rockfeller, RBF është donatori kryesor i BIRN-it për projektin e monitorimit të shërbimeve publike në Kosovë.http://www.rbf.org/

Fondacioni Charles Stewart Mott gjithashtu bujarisht mbështetë projektin e monitorimit të shërbimeve publike. http://www.mott.org/

Trusti Ballkanik për Demokraci, BTD përkrah projektin e BIRN-it për monitorimin e shërbimeve publike prej nëntorit të vitit 2008.http://www.gmfus.org/balkantrust/

BIRN-i përveç tjerash jetëson projektet e debateve televizive “Jeta në Kosovë”, trajnime dhe monitorimin e shërbimeve publike, projekt i financuar nga BE dhe i drejtuar nga Zyra e Komisionit Evropian.http://ec.europa.eu/

Ministria Zvicerane e Punëve të Jashtme, që nga nëntori i vitit 2009, mbështet BIRN-in në realizimin e projektit njëvjeçar për monitorim dhe raportim mbi qeverisjen lokale. http://www.eda.admin.ch/pristina

Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara, UNDEF përkrah partneritetin e udhëhequr nga BIRN në mes të tri OJQ-ve: BIRN, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, Instituti Demokratik Kombëtar –NDI, për implementimin e projektit mbi Fuqizimin e Mbrojtjes së Shoqërisë Civile në Kosovë.


Raiffeisen Bank në Kosovë mbështetë realizimin e projektit të debateve javore “Jeta në Kosovë” me tema mbi aktualitetin politik, shoqëror dhe ekonomi në Kosovë. http://www.raiffeisen-kosovo.com/

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSCE, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Grave – UNIFEM, Fondi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP, dhe World Learning/Forecast kanë përkrahur BIRN-in për implementimin e projektit për debatet komunale pas zgjedhjeve komunale “Jeta në Komunë.”

Donatorët që fuqimisht e kanë përkrahur BIRN-in në të kaluarën janë:

Trusti Ballkanik për Demokraci, BTD - një ndër donatorët e parë që ka mbështetur BIRN-in në lansimin e projektit të debateve televizive “Jeta në Kosovë” në vitin 2005. Që nga atëherë, BTD i ka dhuruar BIRN-it disa grante për realizimin e debateve televizive si dhe për realizimin e debateve zgjedhore.

Ndihma Kombëtare për Demokraci, NED që nga viti 2006 vazhdimisht ka mbështetur BIRN-in për realizimin e debateve “Jeta në Kosovë”.

Ministria Zvicerane e Punëve të Jashtme ka mbështetur një projekt njëvjeçar të BIRN-it për realizimin e një cikli debatesh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE si dhe Fondacioni Vëllezërit Rockfeller kanë qenë mbështetësit kryesor të BIRN-it për realizimin e debateve zgjedhore në shtatë komuna të Kosovës.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KCSF ka përkrahur BIRN-in në realizimin e tre emisioneve dhe dy dokumentarëve të shkurtër mbi proceset e integrimit të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.

Në të kaluarën, BIRN-in e kanë mbështetur edhe:

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar - USAID, Banka Botërore, UNDP-ja, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - YIHR, Qendra për Burime, Trajnime e Avokim - ATRC, FDI-ja, IREX-i, Instituti për Menaxhment Lindje-Perëndim - EWMI, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur - KFOS, Këshilli Britanik, FIQ-i, ILO-ja, MDA-ja, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës – PTK.

 

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):