Jeta në Kosovë debaton për shpronësimet e tokave dhe fillimin e procesit mësimor

Këtë të enjte Jeta në Kosovë transmeton debatin për shpronësimin e tokave në rastet ku po ndërtohen rrugët si dhe debatin tjetër për fillimin e procesit mësimor në vendin tonë. Më shumë


Jeta në Kosovë: Si është, si e shohim e si e prezantojmë

16 06 2008   Përkitazi me apostrofimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në emisionin “Jeta në Kosovë”, emetuar në terminin standard të Radiotelevizionit të Kosovës, pikërisht më 5. VI. 2008

Pa pretenduar për analiza më të thelluara të rolit dhe të ndikimit të mediave në opinionin publik, s’kemi sesi të mos përmendim sidomos peshën që kanë prezantimet, shkrimet dhe performansat, sidomos të tipit të debatit e të ballafaqimit.

Pa dyshim që në këtë fah hyn edhe emisioni “Jeta në Kosovë”, monitoruar nga Jeta Xharra. Krahas respektit për punën që bëhet në këtë sektor, më se një herë përvidhen edhe paqartësi dhe dilema: Vërtet, çfarë është jeta në Kosovë, si e shohim dhe si e prezantojmë?

Duke ndjekur emisionin e fundit të datës 05. VI. 2008, përballemi me një fakt që na le shije të hidhur dhe mendojmë, nëse, në këtë rast, është fjala për papërgjegjësi ndaj fjalës publike, për kapricio dhe tendencë të individit, apo edhe për mungesë vëmendjeje të drejtueses së emisionit.

Në të vërtetë, mysafiri pjesëmarrës në emision, z. Avni Arifi, apostrofon MTI-në (pa qenë asnjë përfaqësues i kësaj ministrie në debat), gjë që është një nonsens tipik. Nga ana tjetër, konstatimi në fjalë, jo që nuk ka të bëjë me të vërtetën, por është një blof pa shije.

Në MTI, për të tri aspektet që zihen ngoje, për kinse “spastrime” e largime nga puna, me motivacion përkatësie partiake, as që mund të bëhet fjalë.

Rasti i parë: Largimi nga puna i Fatos Manit, Kujtim Selmanajt dhe Arif Ahmetxhekajt, është thjesht largim i vullnetshëm i tyre, përmes aktit të dorëheqjes;

Rasti i dytë: Largimi i disa drejtorëve të departamenteve dhe kryeshefave të agjencive për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet e vitit të kaluar, nuk është veprim i ministrisë, por i organeve dhe rregulloreve të tjera, nënshkruar nga PSSP. Më në fund, ky veprim, pati shtrirje në të gjithë sektorët e jetës publike në Kosovë;

Rasti i tretë: Largimet në ARBK (dy sosh) nuk janë ‘largime’ e ‘spastrime’, për skadim i kontratave të punës dhe respektim i UA për Organogramin e ri.

Kur përmbyllim këtë sqarim, na imponohet konstatimi bashkë me dilemat: Vallë, çfarë është
jeta në Kosovë? Si e shohim dhe si e paraqesim atë? Jeta, sigurisht, është ajo që është, pavarësisht trilleve të dikujt dhe retusheve të tjetrit.

Tani, shtrohet pyetja: I ndreqim defektet dhe pakënaqësitë duke kërkuar ‘fajtorë’ kujdestarë, për t’ua veshur mëkatet; vetëmjaftohemi duke shpëlarë duart si Pontie Pilati, se faji është diku tjetër, apo, më në fund, duke konstatuar vërtetësinë e fakteve për jetën në Kosovë, sado e hidhur dhe e dhimbshme të jetë ajo?

Adem Gashi- Zyra për informim



Letrat që dërgohen në redaksi botohen ashtu siç janë, pa ndërhyrje editoriale. BIRN ka të drejtën e përzgjedhjes dhe shkurtimit të letrave që botohen.