Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente

Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

“Jeta në Kosovë” diskuton për ekonominë vendore

15 maj 2008  Ku qëndron ekonomia vendore, tre muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës? Sa është e zhvilluar ajo ekonomi? “Jeta në Kosovë” ka diskutuar me të ftuarit në vijim në lidhje me strategjitë për zhvillimin e ekonomisë , nxitjen e konsumit të prodhimeve vendore dhe çështje tjera që lidhen me këtë çështje.

Image 3654

Ibrahim Krasniqi – Sekretar Permanent në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë
Linda Shala – afariste kosovare;
Ismet Bojku – Shef menaxher i kompanisë DEVOLLI që merret me prodhimin e qumështit VITA;
Mustafë Rexhepi – përfaqësues i firmës importuese MIGROS;
Genc Bashota – përfaqësues i fabrikës së duhanit në Gjilan dhe

Agim Shahini- Kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit

Fillimisht është paraqitur një reportazh i përgatitur nga gazetari Muhamet Hajrullahu, i cili ka folur për prodhimin vajit bimor në një fabrikë në afërsi të Podujevës kundrejt atij që prodhohet jashtë.

Sipas Bojkut, konsumatorët Kosovarë shpesh janë të ‘keqpërdorur’ nga fakti se të dhënat e mallit i cili importohet nga jashtë në shumicën e rasteve nuk janë të përkthyera në shqip.

“Kur prodhimet vendore eksportohen jashtë, ato gjithmonë testohen nga autoritetet e atij vendi, ndërsa në Kosovë, kujt t’i teket mund të importojë çfarë të dojë pa ndonjë testim paraprak nga ne” ka shtuar Bojku.

Bojku pastaj ka folur për sfidat e prodhuesit vendor dhe asistencën që ata mund ta marrin apo jo nga institucionet e ndryshme dhe ka folur për “konkurrencën lojale”.

Z. Rexhepi është pajtuar duke thënë se shumë mallra hyjnë në tregun kosovar me “çmime joreale”.

Krasniqi ka dëgjuar për ankesat në lidhje me taksat e larta sa i përket lëndës së parë për prodhimet vendore dhe ka thënë se ai i kupton ato brenga, por e keqja qëndron se Kosova nuk mund t’i rregullojë të gjitha me ligj brenda një kohe të shkurtë, andaj ekziston një inspeksion i cili merret me testimin e mallrave të ndryshme.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e interesuar të heq taksën në disa fusha, si për shembull në agrobiznes” ka thënë Krasniqi.

Shala ka thënë se Kosova është një vend i vogël për t’u bërë ndonjë biznes i madh për momentin, por ajo çfarë mund të bëhet është se mund të çel vende të reja pune përmes investimeve dhe nxitjes së agrobiznesit.

“Afro 40% jetojnë në varfëri dhe këta jetojnë kryesisht në pjesët rurale, kurse 50% e tokës së punueshme në Kosovë nuk shfrytëzohet,” ka thënë Shala.

Bashota, ndërkaq, është ankuar se kur kompania e tij dëshiron të eksportojë në vende tjera, si për shembull në Maqedoni, taksat janë po ashtu të larta.

“Marrëveshja për tregti të lirë është shumë e ndjeshme, sepse Maqedonia ka një pjesë goxha të madhe në tregun e Kosovës dhe paguan vetëm 10% për taksa doganore kurse ne duhet të paguajmë 60% kur ne eksportojmë atje”, ka thënë Bashota.

“Neve na duhet të importojmë pothuajse të gjitha lëndët e para dhe për këtë arsye na duhet të paguajmë taksa të larta,” ka shtuar ai.

Shahini ka thënë se aleanca e tij i mbron të drejtat si të importuesit ashtu edhe të prodhuesit vendor, por “na nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me të gjithë politikë-bërësit në Kosovë.”

“Prodhimet e Kosovës, për shembull, nuk mund të shiten në Serbi,” është ankuar Shahini, “sepse, për shembull, në vitin 2005, Frutti Company nga Kosova është munduar të plasojë prodhimet e veta në tregun Serb por pas një kohe ato janë kthyer mbrapsht dhe me afat të skaduar.”

Bojku ka kritikuar ministrinë e tregtisë se si nuk ka krijuar politika të forta dhe gjegjëse fiskale për bizneset vendore.

Por Shala ka kritikuar prodhuesit vendorë se si nuk po e luftojnë dominimin e mallrave të huaja në tregun kosovarë duke i inkurajuar konsumatorët vendorë të blejnë prodhimet vendore.

Disa nga folësit janë shprehur se disa nga arsyet pse konsumimi i prodhimeve vendore është në nivel të ulët është edhe cilësia, kurse të tjerët kanë thënë se kjo është çështje e strategjisë së marketingut.

Bojku ka theksuar se “çështja kryesore është mungesa e ‘patriotizmit ekonomik’ dhe e sensibilizimit të konsumatorëve vendorë për prodhimet vendore.”

Krasniqi ka thënë se “ka edhe prodhime që kanë pasur sukses në tregun e jashtëm siç është vera e Kosovës dhe patatet.”

“Unë plotësisht besoj se Kosovës i duhet një shtëpi e Operës, rrugë më të mira, kulturë më të avancuar por ajo çfarë na duhet më së shumti tani është një ekonomi më e fortë dhe zbutja e varfërisë”, ka thënë Shala.

Bojku është ankuar se “Kosovës i mungojnë edhe teknologë të ushqimit.”

Krasniqi i ka fajësuar prodhuesit vendorë për mosbërje të trysnisë mbi qeverinë për ta luftuar ekonominë joformale por njëkohësisht i ka lavdëruar duke thënë se ata të gjithë i përmbushin kërkesat.

Bojku ka thënë se “nëse konsumimi i prodhimeve vendore do të ishte më i lartë, kjo do të shërbente edhe si stimulim i përkryer për zhvillimet tjera.”

Emisionin mund ta shikoni në linkun vijues:
“Jeta në Kosovë” diskuton për ekonominë vendore

“Jeta në Kosovë” është bashkëprodhim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN - dhe televizionit publik të Kosovës - RTK-së. Emisioni transmetohet çdo të enjte duke filluar nga ora 20:15

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):