Jeta në Kosovë debaton për mbajtjen e shamisë në shkollat publike

Këtë të enjte Jeta në Kosovë diskuton për mbajtjen e mbulesës në institucionet publike. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

“Jeta në Kosovë” debaton për diplomacinë e Kosovës

02 tetor 2008  Emisioni i kësaj jave, “Jeta në Kosovë”, ka debatuar për diplomacinë e Kosovës.

 

Pjesa më e madhe e debatit u fokusua në çështjen se cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse rezoluta e Serbisë miratohet në Kombet e Bashkuara.

Kush do të fitojë përleshjen diplomatike në Kombet e Bashkuara? Pse serbët janë më të suksesshëm në lobimin kundër pavarësisë? Pse askush nuk po kujdeset për monumentin e “NEWBORN”-it, e cila simbolizon pavarësinë e Kosovës?

Pjesëmarrës në panel ishin:

Lulzim Mjeku – Drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme
Rexhep Boja – Ish-kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës
Haki Abazi – nga fondacioni “Rockefeller Brothers”
Besnik Tahiri – zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK
Fisnik Ismaljli – nga kompania ”OGILVY”, në Kosovë

Përderisa po afrohet votimi në OKB për rezolutën e Serbisë, e cila do të kërkojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e pavarësisë së Kosovës, Mjeku argumentoi se Ministria e Jashtme po monitoron me kujdes zhvillimet në Serbi, që lidhen me Kosovën.

Duke përmendur se veprimet e ndërmarra nga Serbia për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës janë kufizuar përgjithësisht në kërcënime, Mjeku tha se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nuk merr vendime të cilat ndikojnë në shtete.

Gjykata më shumë ofron opinione për problemet politike.

I pyetur se kush do të fitojë betejën diplomatike dhe juridike, Mjeku u përgjegj se sa herë që Serbia ka provuar ta zgjidh problemin e Kosovës me mjete juridike, ajo ka humbur.

Mjeku tha se Serbia është duke e bërë punën e saj, duke e dërguar rastin e Kosovës në trupin më të lartë juridik të botës, në GJND, dhe ne s’mund të presim diçka tjetër nga ajo.

I pyetur se çfarë janë duke bërë diplomatët e Kosovës për t’ju kundërvënë përpjekjeve diplomatike serbe, ai tha se Kosova, së bashku me aleatët e saj, po bënë përpjekje për t’u siguruar që iniciativa serbe të dështojë në OKB.

Mjeku, gjithashtu potencoi se opinioni i GJND-së nuk i detyron dhe nuk mund t’i diktojë vendimet e shteteve të pavaruara, që tashmë kanë vendosur ta njohin Kosovën, megjithëse pranoi se opinioni i GJND-së do të mund të krijonte konfuzion tek vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Sipas Mjekut, disa shtete mund të vonohen në njohjen e Kosovës, derisa GJND-ja të jep vendimin e saj.

I pyetur nëse opozita ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për t’u përballur me sfidat që po i ngre iniciativa e Serbisë, Tahiri tha se partia e tij ka adaptuar një politikë proaktive për informimin e opinionit publik dhe të institucioneve për seriozitetin e çështjes.

“Ne e kemi draftuar një letër, e cila do të ju dërgohet të gjithë ministrave të jashtëm para 8 tetorit (data kur iniciativa serbe do të votohet në OKB), për t’ju spjeguar sfondin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës,” tha Tahiri.

Duke reaguar në komentin e Tahirit, se kjo do duhej të ishte detyrë e qeverisë, Mjeku potencoi se ministri i jashtëm, Skënder Hyseni, ka vizituar Kombet e Bashkuara në Nju Jork, për të lobuar për pavarësinë.

Mjeku tha se ministri Hyseni dhe tre këshilltarë, kanë mbajtur rreth 100 takime me diplomatë të vendeve të ndryshme, shumicën prej tyre nga ato që nuk e kanë njohur Kosovën.

Mjeku tha se një pjesë e madhe e vendeve nuk e kanë njohur Kosovën, për shkak se është e pamundur që të thyhen parimet e hekurta historike në vetëm gjashtë muaj.

Duke i komentuar kritikat që i bëhen ministrit dhe Ministrisë së Jashtme, Mjeku tha se askush nuk është i kënaqur me njohjen nga vetëm 47 shtete, por duhet të merret parasysh edhe roli i Serbisë në këtë çështje.

Boja, megjithatë, argumentoi se Kosova do duhej të bënte më shumë, për të prezentuar në GJND dëshmi për krimet serbe në Kosovë.

I pyetur se pse bota arabe ka qenë ngurruese për njohjen e Kosovës, përkundër shenjave të vazhdueshme se kjo gjë do të ndodhë gjatë Ramazanit, apo menjëherë pas tij, Boja tha se Serbia, ish Federata e Jugosllavisë, ende mbanë raporte të mira me vendet arabe.

Boja tha se premtimet për njohje nga vendet arabe nuk janë dhënë nga autoritetet kompetente.

Abazi tha se Serbia ka përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të vendosur pengesa në rrugën e pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se shërbimi diplomatik i Kosovës ka mundur të bëjë më shumë  dhe ka mundur të përdorë më mirë simpatinë e botës për Kosovën, që është fituar gjatë luftës.

“Ka mungesë të vizionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, qoftë për përshpejtimin e më shumë njohjeve, apo edhe për ndërtimin e raporteve diplomatike me shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën,” tha Abazi.

Mjeku u pajtua në parim me Abazin, por theksoi se Kosova po pret miratimin e Kushtetutës, para se t’i hapë misionet diplomatike jashtë.

Megjithatë, Abazi theksoi se Mali i Zi i ka hapur jashtë zyrat ndërlidhëse nëntë muaj para deklarimit të pavarësisë.

Mjeku tha se integrimi euro-atlantik dhe lobimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, janë parimet kryesore të ndërtimit të diplomacisë së re të Kosovës.

Besnik Tahiri tha se Kosova ka dështuar në misionin e saj diplomatik për të gjeneruar njohje të reja për vendin.

Ai u ankua se edhe gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk ka një prezencë të përhershme diplomatike, në të gjitha vendet që e kanë njohur shtetin e ri.

Ai bëri thirrje për një program të detajizuar të lobimit për Kosovën, në vend që të mbështetet në takimet
ad hoc, në korridoret e ndërtesës së OKB-së.

Abazi tha se Kosova e ka humbur një shancë për të lobuar tek anëtarët e Konferencës së Unionit Afrikan, i cili është adresuar nga presidenti serb dhe ministri i jashtëm.

Ismajli tha se është bërë shumë pak në promovimin e Kosovës, dhe se do të duhej të bëhej shumë më shumë për të rritur simpatinë që Kosova e gëzon në botë.

Reportazhi i përgatitur nga Jeta Abazi tek monumenti i “NEWBORN”-it në qendër të Prishtinës, prezantoi se si monumenti e cili simbolizon shtetin e ri, është bërë një magnet për mbishkrime dhe postera.

Fisnik Ismalji nga kompania që e ka projektuar monumentin, tha se është i shqetësuar për lokacionin e monumentit. Ai tha se edhe mbishkrimet paraqesin një shprehje të opinioneve, por kërkoi nga autoritetet që ta vendosin “NEWBORN”-in mbi një bazament, siç është praktikë me monumentet tjera.

Duke u kthyer në çështjen e iniciativës së Serbisë në OKB, Mjeku tha se ai është optimist se rezoluta nuk do të kalojë. Sidoqoftë, ai paralajmëroi se nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë kjo do ta ngadalësonte procesin e njohjes.

I pyetur nëse diplomacia e Kosovës është pro-europiane apo pro-amerikane, Mjeku tha se përgjithësisht, strategjia bazohet në integrimin në BE.

Abazi insistoi se diplomacia e Kosovës nuk duhet të jetë as pro-europiane as pro-amerikane, por duhet të jetë pro-Kosovës. Ai tha se Kosova duhet të fillojë të mendojë më shumë për mundësitë dhe aftësitë e veta.

Në lidhje me çasjen strategjike të Kosovës karshi botës arabe, Abazi tha se vendet duhet të ndahen në tri grupe: ato që e kanë njohur Kosovën; ato që janë të pavendosura; dhe ato që kundërshtojnë ta njohin Kosovën.

Ai tha se bazuar në këtë, atëherë do të mund të ndërtohej një strategji e përshtatshme për t’ju qasur secilit grup.

Boja tha se vendet arabe s’do të ndikoheshin nga faktorët relogjioz kur është fjala për njohjen, dhe se kriteri do të jetë përfundimisht politik.

Islamjli tha se alokimi i 3 milion eurove nga qeveria për promovimin e Kosovës në mediat ndërkombëtare është i pamjaftueshëm.

Ai tha se Kosova do duhej të vihej në vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe do duhej të spjegohej legaliteti i pavarësisë së saj.

Kulmi i javës:


Devolli Company – Fondacioni Vita i ndihmon jetimët. Nga secili litër i qumështit Vita, 3 euro-cent ndahen për t’i ndihmuar jetimët e 90 familjeve, nga katër komunitetet.

Menaxheri i kompanisë, Valon Shala, tha se 5,000 € janë mbledhur vetëm për një muaj dhe kjo shumë do të ju ndahet 90 familjeve.

“Përzgjedhja e familjeve që do t’i marrin këto ndihma, është bërë në bashkëpunim me Shërbimin Policor të Kosovës në Pejë,” tha Jeton Krasniqi, nga OJQ-ja “Visioni Shekulli 21”.

Ndihma ju është ndarë familjeve në Pejë, Deçan, Istog dhe Klinë, dhe më shumë ndihma do të ju ndahen komuniteteve tjera në javët në vazhdim.


Emisioni “Jeta në Kosovë”, bashkëprodhim i RTK-së dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, transmetohet çdo të premte me fillim prej orës 20:15.

Komentet:

biografi

Emri: 2009-11-10 17:54:43,

shum mir ju lumshin durt

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):