Emisioni i kësaj jave, “Jeta në Kosovë”, i ka hedhur një vështrim performancës së qeverisë së Republikës së Kosovës, në 100 ditëshin e dytë të saj.

A është përmirësuar
apo është keqësuar gjendja në sektorin e shëndetësisë? Çfarë po ndodhë në
rajonin e veriut të Kosovës? Me cilat sfida kryesore po ballafaqohet qeveria?
Ku ka arritur suksese e ku ka dështuar qeveria e re?
Panelistët që
diskutuan për këto dhe çështje të tjera, gjatë emisionit ishin:
Nga qeveria:
Alush Gashi – Ministër i Shëndetësisë;
Zenun Pajaziti – Ministër i Punëve të Brendshme;
Bedri Hamza – Zëvendësministër i Ekonomisë;
Nga opozita:
Besa Gaxherri – Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD);
Naim Maloku – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK);
Fatmire Kollqaku – Partia reformiste ORA, ish-kryetare e komisionit parlamentar
për shendetësi.
Pas prezantimit të
panelistëve, emisioni filloi me një reportazh nga gazetarja e BIRN-it, Jeta
Abazi, që u fokusua në mungesën e furnizimit me medikamenteve bazike, mungesën
e instrumenteve kirurgjike, mungesën e laboratorëve dhe mungesën e sallave
(dhomave), posaçërisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Reportazhi shfaqi
kushtet e mjerueshme në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK, ku një shtrat ndahet
nga (lehonat) pacientët që sapo kanë lindur.
Pas reportazhit, Gashi
e filloi debatin duke argumetuar se është bërë një progres i madh në
institucionet shëndetësore.
“Gjatë këtyre 100
ditëve kemi arritur që ta rrisim për 100 për qind buxhetin për barëra
esenciale,” tha ai.
Sidoqoftë, ai e
pranoi se edhe përkundër kësaj rritje të buxhetit, kjo i përmbushë vetëm rreth
70 % e nevojave të klientëve.
Ai premtoi se “deri
nga fundi i vitit, institucionet shëndetësore do të jenë të furnizuara 100 me
barërat esenciale.”
Kollqaku tha se
Kosova ka politika dhe strategji dhe politika shëndetësore në teori, por këto
nuk po implementohen. Ajo tha se ministria është shumë e ngadalshme në
zgjidhjen e shumë problemeve. “Ne ende jemi në fazën e identifikimit të
problemeve,” tha ajo.
Gaxherri tha se
situata e pakënaqshme në sektorin e shëndetësisë vjen si rezultat i asaj që
“shëndetësia nuk është prioritet i kësaj qeverie.”
Ajo e kritikoi ministrin,
sepse qeveria ende nuk e ka finalizuar ligjin për sigurime shëndetësore.
I pyetur nga
moderatori nëse ligji për sigurimet shëndetësore do të hyjë në fuqi brenda 100
ditëve të ardhshme, ministri Gashi u përgjigj se “ky ligj ëshë aprovuar vite më
parë, por duhet të rishikohet.”
Ai tha se edhe pse
ligji ishte i mirë, nuk ka mundur të hyjë në fuqi, sepse nuk ishte i mbuluar
nga buxheti.
I pyetur se pse ai
po i lejon të punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, individët që janë nën
hetime për konflikt interesi apo për korrupcion, Gashi tha se “në momentin që
akuzat konfirmohen nga organet kompetente, ne do të veprojmë konform ligjit.”
Pajaziti theksoi se
Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar lëshimin e pasaportave dhe potencoi
se duhet vetëm një javë që qytetarët të marrin pasaportën, që nga dita e aplikimit.
“Qytetarët që e
kanë dokumetin e udhëtimit të UNMIK-ut, ju duhet vetëm ta dorëzojnë atë, në
mënyrë që ta marrin pasaportën e re,” tha ai.
Në vazhdim u shfaq
një reportazh i përgatitur nga Muhamet Hajrullahu në lidhje me korrupsionin dhe
kontrabandën në veriun e Kosovës. Reportazhi vuri në dukje që dy pika kufitare
nuk janë duke funksionuar pesë muajt e fundit, që ka shpier në rritjen e
shpejtë të kontrabandës.
Reportazhi vlerësoi
se kjo i kushton buxhetit tët Kosovës një humbje prej 1.5 milion euro për muaj.
Reportazhi shfaqi
se veriu i Kosovës nuk është nën kontrollin e institucioneve të Kosovës dhe se
kushtetuta nuk po respektohet në gjithë Kosovën.
Pas reportazhit,
Maloku nga opozita tha se situata e sigurisë në veriun e Kosovës “është shumë
më e keqë se para 200 ditëve.”
AI e pranoi se
qevria nuk është e vetmja që duhet të fajsohet, por shtoi se ka mundur të bëhet
më shumë sikur qeveria të kishtme marrë një rol më aktiv dhe sikur të kishte
implementuar plane konkrete.
Pajaziti tha se
qeveria ka ushtruar tolerancë, si përpjekje për të shmangur ndonjë konflikt
etnik pas pavarësisë.
Ai tha se me
bashkëpunimin e të gjitha institucioneve relevante të sigurisë, situata po
përmirësohet dhe për një kohë të shkurtër, i gjithë territori i Kosovës do të
jetë nën kontrollë.
Gaxherri e akuzoi
qeverinë se nuk ka bërë mjaft presion në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë
për ta rimarrë kontrollin në kufirin verior.
Pajaziti u
kundërpërgjigj se “gjatë kësaj periudhe, ne kemi insistuar te UNMIK-u, KFOR-i
dhe misioni europian për të pasur më shumë prezencë atje.”
“Qeveria e Kosovës,
doganat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet lokale janë
mobilizuar dhe tani kemi ekipe mobile, të cilat i kontrollojanë të gjitha
gjërat që hyjnë në territorin e Kosovës,” shtoi Hamza.
Maloku tha se
shërbimi doganor nuk ka qenë në gjendje që t’i mbyllë disa pika kalimi të
naftës në veri.
Hamza gjithashtu
vuri theksin në rëndësinë e Konferencës së Donatorëve, ku Kosova siguroi zotim
për më shumë se 1.2 miliard euro, të cilat do të përdoren për dy apo tri vitet
e ardhshme.
Ai tha se këto
fonde do të investohen në pajtim me prioritetet e qeverisë, si “në energji, në
infrastrukturë rrugore, në shëndetësi, në edukim, në sektorin privat, në
agrobiznes dhe në fushat tjera.”
Ai e cilësoi zbatimin e ligjit dhe të
rregullit, si prioritetin më të lartë të qeverisë.
Gaxherri e kritikoi
qeverinë se nuk i ka raportuar parlamentit rreth kësaj konference dhe fondeve,
të cilat janë siguruar.
Ajo, po ashtu,
akuzoi qeverinë për nominimin e personave të korruptuar dhe të pasuksesshëm, që
të shërbejnë në bordet e ndërmarrjeve publike, siç është rasti me Agjencinë e
Kosovës për Privatizim (AKP).
Hamza, sidoqoftë, insistoi
se vetëm personat më të mirë dhe me më së shumti përvojë, janë propozuar për
anëtarë të bordeve.
Forumi për
Iniciativë Qytetare (FIQ) dhe “Safer World” (një botë më e sigurt) i kanë
ndihmuar BIRN-it për hulumtimin e temës së këtij debati televiziv.
Emisioni “Jeta në Kosovë”, bashkëprodhim i RTK-së dhe Rrjetit
Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, transmetohet çdo të premte me
fillim prej orës 20:15.