Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente

Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

Jeta në Kosovë debaton për pajtimin ndër-etnik

17 korrik 2008   Emisioni i kësaj jave, “Jeta në Kosovë”, u fokusua në pajtimin ndër-etnik.

A ka pajtim në mes të grupeve etnike në Kosovë? A duhet të kërkohet falje për konfliktet e së shkuarës dhe kush duhet të kërkojë falje? Cila është gjendaj momentale e raporteve ndër-etnike? A munden shqiptarët dhe serbët e Kosovës t’i thyejnë barrierat e së kaluarës dhe të jetojnë së bashku në paqe? A janë të integruara mjaftueshëm këto grupe etnike në rrjedhat e përgjithshme të shoqërisë kosovare?

Për t’i diskutuar këto dhe çështje të tjera, pjesëmarrës në studio ishin:

Albin Kurti – lider i Lëvizjes Vetëvendosje!;
Momçilo Arlov – nga qendra për Shoqëri Civile (komuniteti serb) dhe
Susanne Brandtstaeter – regjisore e filmit “Law/Justice in Kosovo”;

Gjithashtu, në debat morën pjesë edhe studentët nga Instituti i Kosovës për Gazetari dhe Komunikim (Kosovo’s Institute for Journalism and Communication, KIJAC).
 
Brandtstaeter e filloi debatin duke theksuar ndërmjetësimi (pajtimi) ka një traditë të gjatë në

Kosovë dhe ka ndihmuar shumë në restet e konflikteve të përmasave të vogla dhe mesatare.
Por, ajo nuk ishte e sigurt nëse kjo do të ndihmonte në rastet e konfliktit ndër-etnik.
 
Ajo e kritikoi organet lokale dhe ndërkombëtare që e kanë injoruar këtë resurs.
 
“Më duket vërtetë pikëlluese, kur një vend fillon të lëvizë përpara dhe thotë: ‘le të harrojmë gjithçka që është pjesë e kulturës dhe e traditës sonë, dhe thjeshtë ta hudhim atë, sepse dëshirojmë të bëhemi modern’, sepse një pjesë e madhe e saj është shumë e vlefshme,” tha ajo.
 
Arlov argumentoi se ka nevojë për një pajtim në Kosovë. Në mënyrë që të arritet kjo gjë, të gjitha grupet etnike duhet të bashkëpunojnë, por “fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk po ndodhë deri më tani,” tha ai.

Ai tha se pajtimi do duhej të fillonte që nga familja, pastaj në shkolla, nga OJQ-të, nga ministritë, qeveritë e kështu me radhë.
 
Por, për shkak të situatës specifike në Kosovë, ai theksoi se pajtimi duhet të fillojë së pari nga institucionet.
 
Ai paralajmëroi se “në vend që të punohet për zgjidhjen e problemeve që i kemi nga e kaluara, ne jemi duke i kontribouar krijimit të të ashtuquajturit ‘konflikt i ngrirë’, i cili po shkakton shumë probleme.

Kurti sqaroi se për të pasur një pajtim të plotë në mes të shqiptarëve dhe serbëve këtu, së pari duhet të pajtohemi që Kosova është një vend i pavarur dhe sovran. “Ky është një parakusht,” tha ai.
 
Një tjetër kusht, sipas Kurtit, është realizimi i drejtësisë institucionale për viktimat e së kaluarës, duke shtuar se kushti i tretë për arritjen e pajtimit ndër-etnik, është zhvillimi etnik.
 
“Pa një projekt për zhvillimin ekonomik, nuk ka shansë për integrim apo pajtim,” tha Kurti.
 
Në ndërkohë, ai e kritikoi komunitetin ndërkombëtar se është fokusuar vetëm në stabilitetin e vendit, e jo në progresin dhe zhvillimin ekonomik të tij.
 
Kurti theksoi se “vështirësitë për serbët e Kosovës nuk vijnë nga shqiptarët, por nga Serbia, e cila, thjeshtë, nuk po i lejon ata që të integrohen.”

Arlov i fajsoi politikanët – shqiptarë dhe serbë – për gjendjen e mjerueshme të raporteve ndër-etnike, por, gjithashtu, fajsoi edhe rrethanat historike.
 
Ai tha se do të ishte më mirë që të fokusohemi në problemet reale të të gjithë qytetarëve, ku të gjithë pajtohemi, se sa të fokusohemi në çështjen e statusit, për të cilën gjë shqiptarët dhe serbët vështirë se do të pajtohen ndonjëherë.
 
Kurti bëri një krahasim në mes të gjendjes së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës.
 
“Unë kam parë shumë serbë në Prishtinë, të cilët lëvizin dhe flasin lirshëm serbisht nëpër kafenetë e Prishtinës,” tha ai, duke shtuar se gjendja e shqiptarëve në veri të Kosovës është shumë më e keqe.
 
“Kosova është djep i pajtimit dhe kjo nuk është diçka e re që e ka sjellë komuniteti ndërkombëtar!” konkludoi Shukrie Gashi, një studente nga KIJAC-i.

Arlov tha se misioni i EULEX-it ka “probleme diplomatike” dhe shtoi se sipas pikëpamjes së tij, propozimi ie Ahtisarit ishte i pranueshëm.
 
I pyetur se çka do t’u ofrohej minoriteteve, nëse nuk do të ishte propozimi i Ahtisarit, Kurti u përgjigj shkurt: ”Barazi para ligjit dhe të drejtat e minoriteteve, të parapara me Konferencën e Kopenhagës të vitit 1991.”
 
Kurti, gjithashtu, theksoi se Serbia, në vend që t’i inkurajonte serbët e Kosovës që të integrohen në shoqërinë dhe institucionet kosovare, ajo po ju krijon kushte të tilla atyre, në mënyrë që serbët të mos kenë nevojë që të integrohen fare.
 
“Kjo është arsyeja se pse Beogradi, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të injorohet, derisa ta pranojë realitetin e ri në Kosovë,” tha ai.

Sidoqoftë, Arlov tha se institucionet e Kosovës nuk duhet t’i injorojnë autoritetet e Beogradit.

Në vend të kësaj, do duhej t’i ftonin ata që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të arrihet integrimi i serbëve.

Në këtë pikë, Kurti u kundërpërgjigj duke thënë se, së pari, Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe pas kësaj do të mund të negociohej për integrimin e plotë të serbëve në Kosovë.
 
Një student i KIJAC-it pyeti nëse vendimet politike mund të zëvendësohen nga rrethanat ekonomike. Nl këtë kontekst, ai e përmendi largimin e serbëve nga Shërbimi Policor i Kosovës dhe nga shërbimi doganor.
 
Arlov u përgjigj se “nuk mund të vazhdoni tutje, derisa ta keni Beogradin në tavolinën e bisedimeve,” sepse Serbia është duke ju ndihmuar serbëve të Kosovës, duke ju dhënë atyre paga, ndihmë sociale dhe ndihma të tjera financiare, të cilat nuk mund t’ua ofrojë as qeveria e Kosovës e as komuniteti ndërkombëtar.
 
Kurti u kundërpërgjigj se rrethanat ekonomike mund t’i stimulojnë serbët që të integrohen në shoqërinë kosovare, por, për të ndodhur kjo, “së pari, duhet ta ndalim ndërhyrjen nga Serbia.”

Në fund të diskutimit, moderatorja pyeti nëse ka nevojë për kërkim-falje për konfliketet e së kaluarës dhe kush do duhej të kërkonte falje i pari?

“Vetëm ndonjë politikan naiv do të ishte i kënaqur me një kërkim-falje nga Serbia,” tha Kurti. “Kërkim-falja është gjesti më i vogël. Ne na duhet drejtësia!”

Arlov tha “unë nuk kam fare problem që ta them atë që tani: me të vërtetë kërkoj falje dhe e kam me gjithë mend!” Ai shtoi se është vështirë të kërkojë falje për diçka që ai nuk e ka bërë personalisht.


Emisioni “Jeta në Kosovë”, bashkëprodhim i RTK-së dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, transmetohet çdo të premte me fillim prej orës 20:15.

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):