Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente

Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

Emisioni “Jeta në Kosovë” debatoi për varfërinë në vendin tonë

16 tetor 2008  A ka Qeveria e Kosovës një plan se si të luftohet varfëria dhe si të përmirësohet ekonomia e vendit?

Si mund të dalin nga qarku i varfërisë mijëra familje kosovare, të cilat mbijetojnë me vetëm 93 eurocent për një ditë? A ka qeveria strategji se si të krijojë një ambient, ku qytetarët do të mund të punonin, në vend që të mbështeten në asistencën sociale apo në bëmirësi?

Kosova është vendi më i varfër në Europë. Sipas statistikave të fundit të Kombeve të Bashkuara, shkalla e papunësisë në Kosovë është 40 deri 46 %, përderisa 15 % e popullatës jeton në varfëri ekstreme, me më pak se 93 eurocent në ditë.

Këto ishin pyetjet që u ngritën në debatin e kësaj jave “Jeta në Kosovë”, që u moderua nga gazetarja e BIRN-it, Jeta Abazi.

Debati është mbajtur në ditën ndërkombëtare të varfërisë, me 16 tetor. Për t’i dikutuar këto çështje, të pranishëm në studio ishin:

Nora Sahatçiu-Loxha, menaxhere e projektit për objektivat e milleniumit;
Muhamet Gjocaj, nga departamenti për mirëqenie sociale në qeverinë e Kosovës;
Fadil Aliu, hulumtues nga instituti RIINVEST;
Kimete Hoti, qytetare nga fshati i Krushës.

Fadil Aliu e filloi debatin duke theksuar se gjendja e vështirë ekonomike në Kosovë është si rezultat i shkallës së lartë të importit, mungesës së investimeve private dhe publike dhe si rezultat i rrjedhjeve të mëdha të kapitalit.

“Taksat e larta pengojnë zhvillimin e bizneseve private në vend, ndërsa fqinjët tanë kanë paraqitur masa ekonomike shumë fleksibile për prodhuesit e tyre, të cilat ju kthehen me zhvillim ekonomik,” tha Aliu.

Sipas tij, qeveria e Kosovës do duhej ta adaptonte një strategji ekonomike më rigoroze. Në rast se vendet fqinje imponojnë taksa të larta në mallrat kosovare, atëherë qeveria e Kosovës do duhej të kundërpërgjigjej me masa të njëjta, tha ai.

Komentet e Aliut u pasuan me një reportazh të gazetarit të BIRN-it, Alban Selimi, në të cilin u shfaq se si kosovarët me diplomë universiteti janë të varur nga ndihmat sociale dhe janë zënë nga spiralja e varfërisë.

Aty u shfaq se si Ali Shala, i cili kishte diplomuar në juridik para 22 viteve, punon si punëtor krahu, sepse kjo është puna e vetme që ai mund të gjejë.

“Kam aplikuar për ndihmësgjyqëtar në gjykatë, por ata e kanë punësuar dikë me diplomë të shkollës së mesme, sepse ka pasur lidhje më shumë se unë,” tha Shala.

Derisa tregonte se është i detyruar të punonte çfarëdo pune që mund të gjente, në mënyrë që ta mbante familjen, 55 vjeçari potencoi se fëmijët e tij janë dekurajuar për vazhdimin e arsimit të lartë, duke e parë babai i tyre është i papunësuar.

Pas kthimit në debat, në studion telivizive, Aliu, duke ju referuar vlerësimeve të Bankës Botërore, tha se një dozë modeste e ndihmës ekonomike, do të mund ta lehtësonte pozitën e 18 % të popullatës që jetojnë në varfëri.

Të pranishmit theksuan se 37 mijë familje të varfëra janë duke marrë ndihma sociale nga Ministria e Mirëqenies Sociale, përderisa 2400 familje janë larguar nga lista këtë vit.

I pyetur nëse kjo është tregues i suksesit në luftimin e varfërisë, Muhamet Gjocaj u përgjigj se një numër i madh i këtyre që janë larguar nga lista, ose nuk kanë pasur më nevojë për ndihmë, ose nuk i kanë përmbushur kriteret e nevojshme për të marrë ndihmë nga ministria.

“Ne i shikojmë statistikat tona çdo vit, për të parë nëse ndonjë nga këto familje nuk ka më nevojë për t’u ndihmuar nga ministria,” tha ai.

I pyetur nëse ndihma e ministrisë është e mjaftueshme, shuma e së cilës është 40 eurocent për në ditë, Kimete Hoti u përgjigj se ajo nuk është e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e një familjeje 5 anëtarëshe.

“Prandaj kemi vendosur që të prodhojmë turshi. Pasi i patëm mbushur dy fuçi (rezervuar), filloi të duket mirë, kështu që vazhduam të prodhojmë,” tha ajo.

Hoti potencoi se farmerët nuk kanë nevojë aq shumë për ndihma sociale, sa kanë nevojë për ndihmën e qeverisë në realizimin e profiteve potenciale, për shembull, t’u blejë vegla të punës, t’u ndihmojë në reklamamim, transport etj..

Aliu tha se qeveria aktuale ka dështuar në përpilimin dhe ofrimin e një politike, e cila do t’i inkorajonte iniciativat individuale. “Ministria aktuale është shumë pasive dhe situata aktuale tregon se nuk ka rezultate pozitive sa i përket këtyre çështjeve,” tha Aliu.

I pyetur se pse Kosova e ka nënshkruar Deklaratën e Milleniumit në vitin 2008, përderisa vendet e rajonit e kanë bërë këtë tetë vite më parë, Nora Sahatçiu-Loxha u përgjigj se Kosova ka trashëguar një situatë shumë të keqe ekonomike, politike dhe sociale pas luftës, më 1999.

Sipas saj, Kosova nuk ka qenë në pozitë që të marrë përsipër përgjegjësitë e nivelit ndërkombëtar, të cilat i bartë me vete nënshkrimi i Deklaratës së Milleniumit.

Duke diskutuar nëse Kosova ka një plan strategjik për luftimin e varfërisë, i cili është qëllimi i parë Zhvillimit të Milleniumit, Loxha tha se “institucionet e Kosovës janë duke demonstruar përpjekjet më të mira për ta përmirësuar situatën”.

Megjithatë, ajo theksoi se shkalla aktuale e varfërisë është alarmante.


Emisioni “Jeta në Kosovë”, bashkëprodhim i RTK-së dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, transmetohet çdo të enjte me fillim prej orës 20:15.

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):