Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente

Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

Jeta në Kosovë debaton për cilësinë në shkollat e mesme të Kosovës

09 tetor 2008   Emisioni i kësaj jave, Jeta në Kosovë, ka debatuar për nivelin e cilësisë në arsimin e mesëm në Kosovë.

Këtë vit, sektori i arsimit në Kosovë, më në fund ka pasur një ngritje të buxhetit, por sa është rritur niveli i cilësisë?

Këto pyetje janë ngritur në emisionin e kësaj jave “Jeta në Kosovë”, që u moderua nga Jeta Abazi, gazetare e BIRN-it.

Panelistët që ishin ftuar për t’i diskutuar këto çështje, ishin:

Heset Cakolli, deputet dhe anëtar i komisionit për arsim në parlamentin e Kosovës;
Jonuz Salihaj, ish-drejtor i drejtoratit për shkollat e mesme të Kosovës;
Nehad Mustafa, këshilltar në MASHT për arsimin parauniversitar;
Xhafer Ahmeti, koordinator i projektit të licencimit të mësimdhënësve në Kosovë.

Për ta kompletuar sa më mirë debatin, në audiencë ka pasur nxënës të shkollave të mesme, profesorë dhe përfaqësues të tjerë të sektorit të arsimit në Kosovë, si: Rifadije Paloja, drejtor i drejtorisë komunale të arsimit në Obiliq; Izija Mjekiqi, profesor në Obiliq; Ardit Gashi, kryetar i këshillit të nxënësve në Ferizaj; Shefkije Islamaj, këshilltare shkencore në departamentin e gjuhës shqipe; Alush Kryeziu, drejtor i shkollës fillore “Beqir Gashi”, në Rrezor të komunës së Malishevës; Ron Gjinovci, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Prishtinë dhe Kreshnik Ismajli, nxënës në gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.

Debati filloi me një reportazh nga kultura, i përgatitur nga gazetari i kulturës, Arif Muharremi, ku u pasqyrua se sa të pasjellshëm janë nxënësit e shkollave të mesme gjatë një shfaqje tetarale.

I pyetur nëse shkolla si institucion duhet ta marrë përgjegjësinë që t’i dërgojë nxënësit në shfaqje teatrale, ekspozita apo ngjarje të ndryshme kulturore, Salihaj u përgjigj se këto aktivitete janë të obliguara, ashtu siç edhe parashihen në programet e shkollave fillore dhe të mesme.

Salihaj tregoi se sa të sjellshëm kanë qenë nxënësit e Kosovës kur janë dërguar në teatër apo kinema, gjatë viteve 90-ta, kur Kosova ka qenë nën sundimin e Serbisë.

Sipas tij, mësuesit dhe profesorët kanë qenë më të motivuar në atë kohë dhe kanë qenë më të përgjegjshëm, edhe pse nuk janë paguar.

Duke folur për gjendjen aktuale të nxënësve të shkollave të mesme, Salihaj potencoi se mosmirësjellja e nxënësve është gabim i organizimit të brendshëm të çdo shkolle dhe po ashtu ndodh për faktin se orët e kujdestarisë nuk mbahen, meqë nuk paguhen.

Nxënësit e pranishëm në audiencë treguan se ata dërgohen shumë rralle apo fare në teatër apo ekspozita nga shkolla. Ardit Gashi, njëri nga nxënësit e pranishëm në audiencë, tha se shumica e shoqërisë së tij preferojnë që “të pijnë nga një makiato në kafene”, se sa të shkojnë në teatër.

Një reportazh nxjerri në shesh se vetëm 31.97 % maturantëve e kanë kaluar Testin e Maturës, i cili është si parakusht për pranim në universitet.

Reportazhi gjithashtu tregoi se një numër i madh i nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kanë nota të mira (shkëlqyeshme), nuk kanë mundër ta kalojnë Testin e Maturës.

Nehad Mustafa tha se numri i vogël i pikëve në Testin e Maturës tregon se vlerësimi në shkollat e mesme nuk është i saktë.

Në shqyrtim e sipër rreth asaj se mos profesorët kanë tendenca që të paraqiten si të suksesshëm, duke ju dhënë nxënësve nota të larta edhe pse ata nuk i meritojnë, Salihaj tha se as ky opcion num mund të përjashtohet.

Ai gjithashtu potencoi se ka raste kur nxënësit e shkollave të mesme me nota të larta kanë treguar rezultat shumë të mirë në Testin e Maturës.

Defekti për këtë duhet të kërkohet tek mungesa e vlerësimit të komisioneve të brendshme të shkollave lokale, shtoi ai.

Kreshniku, një nxënës i cili ka dështuar në Testin e Maturës, i cili ishte prezent në audiencë, tregoi se gjatë provimit ka pasur shumë zhurmë, e cila e ka penguar atë që të koncentrohet në test. Ai shtoi se vet testi ka pasur të meta dhe gabime.

Në anën tjetër, Mustafa u përgjigj se shumica e nxënësve që janë pyetur menjëherë pas testimit, kanë raportuar se testi ka qenë shumë i lehtë dhe i përpiluar saktë.

Pragu i kalueshmërisë për Testin e Maturës është ulur nga 50 % në 45 % nga MASHT-i, për shkak të rezultateve të dobëta të nxënësve.

I pyetur nëse ministria e ka të drejtën që ta ndryshojë një ligj, i cili është miratuar në parlament, deputeti Cakolli u përgjigj se ligjet që miratohen nga një institucioni më i lartë, nuk mund të shfuqizohen apo modifikohen.

Sidoqoftë, ai tregoi se vendimi është i vetjustifikueshëm, meqë lejon që një numër më i madh i maturantëve të kenë mundësi të pranohen në universitete, përderisa me rezultatet e mëparshme (me pragun 50 %), një numër i madh i tyre do të mbeteshin jasht universiteteve.

Ndërkohë, Salihaj theksoi se sikur ky problem do të shfaqej në ndonjërin nga vendet e BE-së, atëherë masat për përmirësimin e tij do të ishin të jshtëzakonshme.

Cakolli tha se, përveç shumë të metave që kishte testi, nuk ka pasur periudhë përgatitore për testin dhe nuk ka pasur këshilla për nxënësit, të cilat do t’i drejtonin nxënësit se në cilat fusha të studimit do duhej të fokusoheshin më shumë.

Në lidhje me të metat e Testit të Maturës, Salihaj u përgjigj se do duhej të ishte një përpilim më i mirë i testit, në kuptimin që do duhej të kishte teste të ndryshme për gjimnazet e përgjithshme dhe për shkollat profesionale.

Izija Mjekiqi, profesor në një shkollë të mesme teknike në Obiliq, theksoi se MASHT-i ka dështuar me Testin e Maturës, posaqërisht në shkollat profesionale, sepse, siç tha ai, shumica e kurrikulave të implementuara nga vet ministria e fokusojnë nxënësin në fusha të specializuara të studimit, për dallim nga gjimnazet, ku nxënësit marrin edukim të përgjithshëm në të gjitha fushat.

Megjithatë, Mjekiqi tha se këta nxënës do duhej të kishin një provim për testimin e njohurive të tyre të përgjithshme dhe jo të lëndëve për të cilat janë të specializuar.

I pyetur se pse shkollat e mesme në komunën e Obiliqit kanë rezultatet më të dobëta, Mjekiqi theksoi mungesën e infrastrukturës dhe mundesën e objekteve shkollore; mungesën e literaturës për lëndët bazike profesionale, si dhe mungesën e punës praktike.

Në lidhje më këtë, Mustafa tha se shumica e problemeve në shkollat e mesme duhet të adresohen nga vet shkollat.

Sipas tij, shkolla teknike në Obiliq i ka të regjistruara 28 mijë mungesa të nxënësve, gjë që është një shkaktar i qartë për rezultatet e dobëta të treguara në Testin e Maturës.

Në anën tjetër, Mustafa tha se ekziston vlerësimi i brendshëm për lëndët bazike profesionale në shkollat e mesme dhe për këtë nxënësit marrin një çertifikatë, e cila ju ndihmon atyre që të konkurojnë në tregun e punës.

Gjithashtu, ai shtoi se nuk ka ndonjë standard, në bazë të të cilit nxënësit e shkollës teknike apo bujqësore do të pranoheshn në fushën korresponduese në universitet.

“Shumica prej tyre zgjedhin drejtime të ndryshme, për të cilat ata duhet të testohen,” tha
Mustafa.

Mustafa tregoi se ministria e ka angazhuar një person, që të merret ekskluzivisht me drejtimet dhe shkollat profesionale. Ky departament do të ketë kompetencë për përpilimin e kurrikulave dhe teksteve të reja.

Salihaj tregoi se para mesit të viteve të 90-ta, 60 % e nxënësve janë pranuar në shkollat profesionale, derisa 40 % e tyre janë pranuar nëpër gjimnaze.

Sot është e kundërta, tregoi ai, duke u bazuar në praktikën aktuale, ku shumica e atyre që nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaze, transferohen në shkollat profesionale.

Ai shtoi se Kosova do të ballafaqohet me mungesë të ingjinierëve, gjeologëve dhe të profesioneve tjera, në momentin që fillojnë së punuari minierat dhe fabrikat e vendit.

Cakolli është deputeti më i përkushtuar i parlamentit; ai nuk ka asnjë mungesë.

I pyetur se pse nuk e ka ngritur kët çështje për diskutim në parlament, Cakolli tregoi se nuk e pa pasur mundësi që ta trajtojë një çështje të tillë në parlament, për shkak të çështjeve shumë të rëndësishme me të cilat Kosova po ballafaqohet në këto kohë.

Në anën tjetër, moderatorja tregoi se ai nuk ka mundur që ta ngrisë këtë çështje për arsye se përqindja e pjesëmarrjes së tij në sesionet e parlamentit është vetëm 0.8 %.

Ahmeti shtoi se ministria ka dashur një diagnostifikim të saktë të problemeve në sektorin e arsimit, në mënyrë që ta dijmë se çfarë terapie të përdorim.

Ndërkohë, duke biseduar rreth mësimdhënësve dhe licencave të tyre, Ahmeti zbuloi se ministria do t’i pajisë të gjithë mësimdhënësit me licencë, më specifikisht, me një dokument me të cilin mësimdhënësi mund ta ushtrojë veprimtarinë e tij në sektorin e arsimit.

Sipas Ahmetit, mësimdhënësit do të vlerësohen nga nxënësit. Procesi i mësimdhënies, kurrikula dhe rezultatet e përgjithshme nga çdo shkollë do të merren parasysh kur të bëhet vlerësimi i punës së secilit mësimdhënës.

Duke folur për rezultatet shumë të dobëta të maturantëve, Salihaj pohoi se testet do duhej të pilotoheshin para se të përdoreshin tek nxënësit.

“Në pilot test, pyetja më e lehta dhe më e vështira do duhej të largoheshin fare nga testi. Kjo do të na jepte rezultate më të mira, se sa testi i parë,” tha Salihaj.

Në anën tjetër, Ahmeti tha se kjo nuk është gjenerata e parë që po i nënshtrohet Testit të Maturës, duke lënë të kuptohet se përvojat paraprake mund të shërbejnë për ngritjen e cilësisë.

Roni, një nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës, nuk është optimist se mësimdhënësit do të ofrojnë ndonjë cilësi më të mirë në mësimdhënie, pas rritjes së pagave që ju është bërë.

Sipas tij, ka profesorë në “Sami Frashëri”, gjimnazi më i mirë në Kosovë, të cilët nuk e meritojnë që të jenë aty.

Të pyetur se a janë profesorë më të mirë ata me gradë universitare apo ata që kanë më shumë përvojë në mësimdhënie, nxënësit në audiencë thanë se një dallim i tillë nuk mund të përdoret për të gjykuar se kush është më i mirë në punën e tij/saj.
 
Roni, gjithashtu, tregoi se, duket që profesorët e rinj i implementojnë reformat e reja më mirë në sistemin arsimor.

Drejtori i shkollës së Rrezorit, Alush Kryeziu, tha se janë dy mënyra të vlerësimit të mësimdhënësve, vlerësimi i brendshëm dhe ai i jashtëm. Sipas tij, numri shumë i madh i mungesave në shkollën e mesme në Obiliq reflekton dështimin e administratës së shkollës.

Duke diskutuar se pse ka pasur rezultate të dobëta të njohurive për gjuhën shqipe në Testin e
Maturës, Shefkije Islamaj tha se në asnjë debat televiziv nuk është prekur problemi esencial, me të cilin ballafaqohet sistemi ynë i arsimit.

Ajo tha se sistemi aktual i arsimit tonë nuk i përgatitë nxënësit për jetën bashkëkohore. Tashmë është provuar se modeli tradicional i mësimdhënies është i tejkaluar.

“Reformimi i sistemit në Kosovë nuk duhet ta mbulojë vetëm anën teknike; kjo do duhej të zgjerohej për të përfshirë vizionin, kurrikulin, metodologjinë, qëllimet dhe objektivat e mësimit,” tha Islamaj.

Sipas saj, në shkollat e mesme ka orë të matematikës, në të cilat nuk mësohet matematikë; ka orë të letërsisë shqipe, por nxënësit tanë, vështirë se mund të flasin apo të shkruajnë në gjuhën amtare.

Tekstet shkollore, shtoi Shefkije Islamaj, nuk i plotësojnë standardet e nevojshme nga aspekti didaktik, metodologjik dhe ai i mësimdhënies.

Duke i pranuar mangësitë e mëdha për këto dy lëndë bazike, matematikë dhe gjuhë shqipe, Ahmeti tha se, në të ardhmen do t’i kushtohet një vëmendje e posaçme mësimit të këtyre dy lëndëve nga nxënësit, të cilat janë kruciale për karrierën e tyre në të ardhmen.

Nxënësit e pranishëm në audiencë, treguan se ata kanë probleme për verbalizimin e ideve të veta, meqë janë mësuar që të mësojnë vetëm duke dëgjuar, pa reflektuar në mënyrë kritike rreth asaj që lexojnë, vetëm sa për të marrë nota të mira.

Kulmi i javës


Kulmi i javës, i përgatitur nga Jeta Abazi, prezantoi shkollën fillore “Beqir Gashi” të fshatit Rrezor të Malishevës. 492 nxënës mësojnë në një shkollë shumë të vogël, madje disa mësojnë në disa klasë të improvizuara.

Megjithatë, përkundër kushteve shumë të vështira, kjo shkollë ka një faqe interneti, ku mund të gjenden informata për shkollën, nxënësit, mësimdhënësit dhe shumëçka tjetër që ka të bëjë me arsimin.

Pas një premtimi të dhënë në emisionin “Jeta në Kosovë”, më 03 korrik 2008, MASHT-i e ka ofruar një laborator me 32 kompjuterë për këtë shkollë, si njëra ndër të rrallat që ka faqe zyrtare të internetit. Ministria, gjithashtu, premtoi se në vitin 2009 do ta ndërtojë një shkollë të re 12 klasëshe në Rrezor.

Drejtori i shkollës fillore “Beqir Gashi”, një burrë i vjetër, tregoi se më herët i janë dashur 30 minuta për të publikuar një informatë në faqen e internetit, por tani është në gjendje që këtë ta bëjë vetëm për 5 minuta.

Pas debatit qendror, u shfaq rubrika “Dhëndrri i Kosovës”, e më pastaj debati komunal “Jeta në Obiliq”, i cili u moderua nga Jeta Xharra.


Emisioni “Jeta në Kosovë”, bashkëprodhim i RTK-së dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, transmetohet çdo të enjte me fillim prej orës 20:15.

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):