Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente

Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë. Më shumë


Ndrysho madhësinë e shkronjave
+ -

verzioni për printim

copyright

Jeta në Kosovë: Plani Gjashtëpikësh – disfatë për Kosovën?

27 nëntor 2008  Këtë javë emisioni “Jeta në Kosovë” transmetoi debatin për planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

Debati i udhëhequr nga Jeta Xharra pati për qëllim ndriçimin e rëndësisë së seancës së Këshillit të Sigurimit, në të cilën ministri i punëve të jashtme të Kosovës dhe homologu i tij serb paraqitën argumentet e tyre për këtë plan. Pala e tretë në debat diskutoi të ardhmen e strategjive që duhet t’i ndërmerr Kosova në fushën diplomatike.

Panelistë të këtij debati ishin:

Memli Krasniqi, zëdhënës i qeverisë;
Vlora Çitaku, zëvendësministre e punëve të jashtme;
Haki Abazi, nga fondacioni “Rockefeller Brothers”;
Albin Kurti, udhëheqës i lëvizjes “Vetëvendosje!”

Duke e diskutar rëndësinë e seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Krasniqi theksoi se për herë të parë Kosova është paraqitur si subjekt në këtë seancë. Ai shtoi se “EULEX-i duhet t’i raportojë Brukselit, ashtu siç përcaktohet me planin e përbashkët të BE-së, të dalë me 4 shkurt”

Megjithatë, për Abazin, fakti se misioni i ri i EULEX-it duhej të ishte “neutral”, ishte evidencë e dështimit diplomatik të Kosovës. “Edhe vet presidenti i Kosovës deklaroi se Prishtina u la anash në këtë çështje,” tha ai.

Vlora Çitaku tha se Kosova duhet t’i tregojë opinionit botëror se kurdo që Kosova nuk konsiderohet si subjekt, ashtu siç ndodhi me rastin e planit gjashtëpikësh, marrëveshjet nuk janë të pranueshme.

“Deklarata e ministrit serb të punëve të jashtme ishte një rikujtim i politikave të vjetra dhe ishte shumë përçmues,” tha Çitaku.

Në anën tjetër, Kurti tha se Kosova nuk kishte mundësi ta kundërshtonte planin gjashtëpikësh, sepse kishte mungesë të mekanizmave të nevojshme kundërshtuese, siç janë policia dhe ushtria, që njëherit janë edhe mekanizmat ndërtues të një shteti vërtet sovran.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të thotë se mund t’i zgjërojë kontrollat në veri,” tha ai. “Nëse një tërësi territoriale nuk e kontrollon shtetin, atëherë kjo tërësi s’duhet ta quaj veten shtet.”

Kurti tha se fjalimi i ministrit të punëve të jashtme në Këshillin e Sigurimit ishte një dështim total. “Hyseni nuk e përmendi, as edhe si reagim, që Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e saj në Kosovë,” shtoi ai.

Abazi tha se vendimmarrësit politikë janë ndarë të kënaqur me deklarimin e pavarësisë, dhe qysh atëherë nuk kanë ndërrmarë mjaft aktivitete politike proaktive.

“Strukturat paralele në veri nuk u krijuan brenda natës dhe për këtë arsye nuk mund të shfuqizohen brenda natës; nevojitet kohë për ta rregulluar këtë dhe qeveria jonë e ka një strategji afatgjate për këtë çështje,” tha Krasniqi.

Pasi që debati u transmetua drejtpërdrejt, qytetarët kishin mundësi t’i dërgonin pyetjet e tyre. Për pyetjen se çfarë duhet bërë me pikat doganore 1 dhe 31, të kontrolluara nga strukturat paralele serbe në veri, Abazi theksoi se sipas këtij plani, të dy pikat doganore duhet t’i raportojnë UNMIK-ut.

“Qeveria e Kosovës ia doli ta shfuqizojë planin gjashtë pikësh në përgjithësi,” tha Çitaku, duke iu përgjigjur frikës së Abazit se strukturat paralele serbe nuk do t’i përgjigjen sistemit ligjor të Kosovës.

Megjithatë, Kurti insistoi se Kosova tani mund të jetë sovrane por pa përmbajtje, pasi që shteti nuk kontrollon kufijtë e tij dhe nuk e ka ushtrinë e tij.


Emisioni "Jeta në Kosovë" është bashkëprodhim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese-BIRN, dhe televizionit publik të Kosovës- RTK. Emisioni transmetohet çdo të enjte, prej orës 20:20.

Komentet:

Nuk ka komente.

Your name:

Subject:

Comment:

Type in this code (used to prevent spam):