“Jeta në Kosovë” debaton për lirinë e shtypit

Të enjten, debati televiziv “Jeta në Kosovë” ka pasur për debat temën e lirisë së shtypit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të saj.

Gjatë debatit, të pranishmit në studio kanë folur rreth asaj se sa ka liri të shtypit në Kosovë. Sa janë të lirë gazetarët që të shkruajnë çfarë duan? A ka çështje që duhet të hulumtohen dhe a kërcënohen gazetarët?A ka ndikim biznesi dhe politika në gazetari?

Për të biseduar rreth këtyre çështjeve, të ftuar në studio kanë qenë:

Augustin Palokaj - gazetar i Kohës Ditore dhe asaj kroate Jutarnji List;
Vjosa Dobruna - Kryesuese e bordit të Radio Televizionit të Kosovës që ka marrë pjesë në përpilimin e kushtetutës së Kosovës në sektorin e të drejtave të njeriut;
Lulzim Mjeku - ish gazetar tash këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuqi;
Astrit Gashi - ish gazetar i ekonomisë dhe
Baton Haxhiu- gazetar që ka qenë drejtor në gazetën Ekspres dhe Kryeredaktor në Koha Ditore

Image 3292


Dobruna e ka nisur debatin duke folur rreth aspekteve ligjore dhe ka thënë se edhe me kushtetutën tjetër kanë qenë të garantuara të drejtat e gazetarëve.



“Megjithatë,” ka thënë ajo “në të gjitha demokracitë, ekzistojnë disa kufizime.”
Duke e pranuar se në Kosovë, “ka liri të shtypit,” Dobruna ka pranuar se në praktikë është ndryshe.

Palokaj është pajtuar se ka liri të shtypit por se problemi qëndron te liria e të menduarit dhe sa sa profesionale janë mediat në Kosovë.

“Në Kosovë, ka ngatërrim më shumë se kudo” ka thënë ai, duke shtuar se “në Koha Ditore, për shembull, ka më shumë hapësirë të të shprehurit se sa në Jutarnji List pasi që Jutarnji List është më shumë komerciale, kurse Koha Ditore më shumë politike.”

“Biznesi ka ndikim në media dhe pasi që ato dëshirojnë të zhvillohen si biznese, ato e kanë të kufizuar lirinë e tyre,” ka thënë Gashi.

Haxhiu ka thënë se “ka një konflikt midis mediave dhe bizneseve, ngase atyre shpesh u duhet të zgjedhin midis reklamës apo raportimit kundër tyre. Haxhiu ka thënë se “nuk ka asnjë biznes në Kosovë pa të meta mu ashtu siç nuk ka edhe asnjë medium i cili nuk ka lidhje me politikën apo biznesin”

Panelistët kanë diskutuar për modelet e disa vendeve si Shqipëria ku mediat janë ngushtë të lidhura me politikën dhe biznesin.

Palokaj i ka konsideruar idetë e Haxhiut paksa “abstraktet, pasi që ka shumë raste kur mediat janë shantazhuar”

Gashi ka pranuar se ka raste shantazhimi, por ka thënë se “të mos i gjeneralizojmë. Në fund të fundit, mediat janë biznes, pra biznes informues.”

Mjeku ka shpjeguar disa nga arsyet se pse ai ka hyrë në qeveri. “Arsyeja ka qenë se në mediat për të cilat kam punuar nuk kam qenë i kënaqur me menaxhmentin.”

“Tash unë jam këshilltar politik dhe nuk merrem me informimin,” ka shtuar ai.

Megjithatë Palokaj ka thënë se “nuk është problemi kur një gazetar bëhet politikan, por kur ngatërrohen profesionet.”

“këtu në Kosovë, shumica e raporteve për qeverinë janë pozitive”, ka thënë ai, duke shpjeguar se “qeveria i prodhon ato iluzione dhe pastaj mediat i kapërdijnë ato.”

Haxhiu ka theksuar se “në raste të tilla, faji është i redaksive, të cilat i dërgojnë gazetarët e papërgatitur për të bërë pyetje në konferenca për shtyp, me qëllim që ta bëjnë një lajm prej një pyetjeje.”

Dobruna ka thënë se “në Kosovë, ka shumë gazetari protokollare, për shkak se ka censurë”

Haxhiu është pajtuar por ka thënë se “gazetaria hulumtuese kushton shumë”.

Palokaj ka deklaruar se “është po ashtu çështje komoditeti, ngase natyrisht që ka shumë presion nga politika”

“Mediat shpesh raportojnë për ngjarje të parëndësishme,” ka thënë Palokaj.

Mjeku ka thënë se “ka mungesë të raportimit publik, që do të thotë se në vend të raportimit për ndërtimin e ndonjë rruge, ato duhet të raportojnë për gropat në rrugë”.

“Liria e të shprehurit ka të bëjë gjithashtu edhe me përgjegjësinë ndaj qytetarit,” ka thënë Dobruna dhe ka pyetur se “nëse qytetarët manipulohen nga mediat, atëherë kush do t’i mbrojë ata qytetarë?”

Palokaj ka marrë shembuj nga Rusia ku edhe “liria e shtypit është e garantuar me ligj por në realitet gjendja është ndryshe”

Gjatë emisionit është lexuar një letër e një lexuesi që thotë se “në shtëpinë tonë, baba flet e ne s’guxojmë të flasim pastaj. Kam frikën se shoqëria jonë është sikur shtëpia ime’

Haxhiu ka thënë se nuk është e vërtetë se në Kosovë nuk ka liri të shtypit, “sepse është një kulturë e kësaj lirie, pasi që ajo është si produkt i të 90-ve kur regjimi i atëhershëm është kundërshtuar.”

Panelistët janë pajtuar se “në Kosovë, nuk jemi duke ecur në drejtim të modelit të Shqipërisë”

Gjatë emisionit, janë paraqitur tri reportazhe të gazetarëve të BIRN-it, Jeta Abazi, Muhamet Hajrullahu dhe Betim Musliu .

Reportazhi i parë është përqendruar në atë se si janë kërcënuar disa gazetarë, se si janë vrarë disa të tjerë, për të cilat raste policia ose nuk i ka zbardhur rastet ose në rastin e plagosjes së një gazetareje nuk i ka përfunduar kurrë hetimet, dhe se si punojnë disa gazetarë pa kontrata

Reportazhi tjetër ka pasur të bëjë me mbrojtjen e gazetarëve nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, AGPK. Deri sa shumë gazetarë kanë kritikuar AGPK-në se nuk ka bërë mjaft në mbrojtjen e gazetarëve, përfaqësuesit e AGPK-së kanë thënë se si disa gazetarë i shërbejnë politikës.

Reportazhi i fundit ka pasur të bëjë me raportimin dhe ndikimin e tij në rastet gjyqësore.

Deri sa disa gjyqtarë i shpërfillin raportet gazetareske, reportazhi vë në pah se si shumë prej burimeve të Agjencisë Anti-Korrupsion janë bazuar në të dhënat e gazetarëve.

Emisionin mund ta shikoni në linkun vijues:
“Jeta në Kosovë” debaton për lirinë e shtypit

“Jeta në Kosovë” është bashkëprodhim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN - dhe televizionit publik të Kosovës - RTK-së. Emisioni transmetohet çdo të enjte duke filluar nga ora 20:15.


PRINT THIS ARTICLE
Copyright BIRN 2010