Jeta në Kosovë diskuton për bordet e ndërmarrjeve publike

Këtë të enjte, Jeta në Kosovë transmeton debatin, për performancën e bordeve të ndërmarrjeve publike. Më shumë


Miqtë e ministrit të Kosovës përfitojnë nga “miniera” e rrugëve

30 07 2010   

Një numër kontratash fitimprurëse ndërtimore duket të kenë rënë në duart e miqve dhe të afërmve të Fatmir Limajt – dhe në duart e kompanive, përvoja e të cilave në këtë fushë duket të jetë e kufizuar.

Nga Laërence Marzouk dhe Petrit Çollaku

 

A recently completed road in Kosovo,near Battlava Lake

Kompanitë e afërta me Ministrin e Transportit, Fatmir Limajn, janë ndër ato kompani që kanë pasur përfitime të mëdha nga programi i stërmadh i ndërtimit të rrugëve përgjatë dy viteve të fundit.

Një hulumtim i Prishtina Insight-BIRN zbulon se disa firma të cilave u janë dhënë kontrata multimilionëshe, kanë përvoja të pakta në fushën përkatëse.

Prishtina Insight po ashtu, vërteton se tenderët dymilionë euroshe të dhëna një miku të Limajt, duhet të ishin diskualifikuar, për shkak se firmat kanë dështuar së siguruari dokumentacionin e nevojshëm.

Kjo gazetë e ka shikuar secilin tender për ndërtimin e rrugëve të dhënë nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit duke filluar prej vitit 2007. Duke i shfrytëzuar këto informacione, nga regjistri zyrtar i bizneseve i Kosovës, kemi përpiluar një listë me emrat e firmave që i kanë fituar 50 kontratat më fitimprurëse, vlerën e tenderëve, pronarët e firmave fituese, datat e krijimit të kompanive dhe kapacitetin e forcës punuese të tyre.

Zyrtari i Ministrisë së Transportit, Endrit Shala e mohon listën duke e cilësuar atë si punë të një “agjencie spiunazhi” dhe e quan publikimin e saj si pjesë e një kampanje për diskreditimin e Limajt.

Zyrtari i njëjtë ka thënë se ka dëshmi të lëvizjeve të gazetarëve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, personat me të cilët këta gazetarë janë takuar dhe dokumentet që ata kanë siguruar. Në të pyetur për sqarimin e deklaratës së tij, ai refuzon të elaborojë më shumë.

Ministria e Transportit ka rënë dakord t’ia hapë dosjet e veta mbi tenderët Prishtina Insight-it, edhe pse më vonë refuzon që gazeta në fjalë t’i shikojë ofertat e dorëzuara nga kompanitë.

Kërkuam një intervistë me ministrin Limaj, por ai refuzoi një gjë të tillë. Në vend të kësaj, Endrit Shala, shefi i kabinetit të ministrisë dhe krahu i djathtë i Limajt, thotë se ministri fare nuk ka gisht në tenderët që u janë dhënë miqve të tij. Ai shton se, duke marrë parasysh hapësirën e vogël të Kosovës, nuk është çudi që “njerëzit të njihen në mes vete”.

“Procesi tenderues i Ministrisë së Transportit është shumë transparent. Ne i respektojmë të gjitha rregullat dhe procedurat e rregulloreve të prokurimit të Kosovës”, thotë Shala.

Limaj, ish-pjesëtar i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, është gjykuar por edhe liruar nga të gjitha akuzat në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavi (TNKY) në vitin 2005. Njëri nga politikanët më të popullarizuar të Partisë qeverisëse Demokratike të Kosovës, PDK, është shoqëruar shpesh me akuza të padëshmuara të korrupsionit.

Hetimi ynë vërteton që ministria e Limajt ia akordon dy kontrata të mëdha një miku të vet të afërt, Habib Morinës, ndërkohë që ia jep kontratën e dytë për nga madhësia deri më sot të një projekti mbi ndërtimin e rrugëve, në vlerë prej 11 milion eurove, një miku tjetër, kushëririt të tij, kolonel Haxhi Shalës.

Morina ka thënë për Prishtina Insight se marrëdhënia e tij me Limaj nuk ka luajtur kurrfarë roli gjatë procesit të tenderimit, ndërsa kol. Shala ka thënë që nuk është më pjesë e kompanisë Delia Group- fitueses së kontratës.

Kosova ka shpenzuar rreth 170 milionë euro në projekte të ndërtimit të rrugëve përgjatë dy viteve të fundit. Ministria e Transportit ka absorbuar një pjesë në rritje të buxhetit, kryesisht si rezultat i rritjes së projekteve për ndërtim të rrugëve.

Në vitin 2008, buxheti i Limaj ishte 139 milionë euro, më shumë se 10% e buxhetit total të Kosovës prej rreth 1.3 miliardë euro. Në vitin 2009, u rrit në 160 milionë. Shifra e vitit 2010 është pak më modeste me 124 milionë euro, megjithatë Ministria e Transportit vazhdon ta marrë pjesën më të madhe të buxhetit krahasuar me cilëndo ministri tjetër.

Limaj e morri përsipër ministrinë në fjalë menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të vitit 2007 dhe menjëherë filloi të merret me lidhjen e fshatrave me rrugë të reja të asfaltuara dhe me rindërtimin e arterieve të trafikut rrugor të Kosovës.

Ai u ka thënë kompanive ndërtimore të rrugëve se do të duhen të punojnë 24 orë pandërprerë dhe se do të ketë punë të mjaftueshme për të gjithë. Sipas ministrisë, diku 1,000 km rrugë janë shtruar në vitin 2008 dhe 2009 në kuadër të 200 projekteve.

Mirëpo, hulumtimet tona tregojnë se më shumë se 1/3 e tenderëve u janë lëshuar firmave të regjistruara pasi Limaj ka ardhur në pozitë.

Përkundër gjendjes së dobët të rrugëve aktualisht, dinamizmi dhe qasja “pa hajgare” e ministrit janë mirëpritur. Një OJQ kundër korrupsionit, Çohu, në korrik të vitit 2008, bën të ditur se ai “kishte bërë përpjekje të mëdha për ndërtimin e rrugëve të reja”.

Mirëpo, ankesat janë paraqitur kur është fjala për cilësinë e rrugëve të reja, për të cilat kritikët sugjerojnë se kanë nevojë për riparime të vazhdueshme. Një ankesë e ndarë, por që ndërlidhet me këtë çështje thotë se tenderët janë ndarë në mënyrë korruptive dhe shpesh firmave të pakualifikuara.


Miqtë dhe të afërmit:

Shumica e tenderëve për ndërtimin e rrugëve janë lëshuar nga Ministria e Transportit, edhe pse komunat, gjithashtu mund të autorizojnë punë të tilla. Tenderët janë ndarë në bazë të çmimit më të ulët ose sipas një sistemi të vlerësimit të gjithmbarshëm ekonomik, duke përfshirë kritere si cilësia teknike e propozimit tenderues. Ky vlerësim kryhet nga një bord prokurimi në kuadër të autoritetit ndarës.

Kontrata e dytë për nga madhësia e lëshuar deri më sot nga ministria, në vlerë prej 11 milionë eurosh, i është dhënë në korrik të vitit 2009 një firme nga Shqipëria, Delia Group. Kjo ka pasur të bëjë me ndërtimin e segmentit 5 kilometërsh të rrugës kryesore që lidh aeroportin me qytetin perëndimor të Pejës.

Firma është regjistruar në Kosovë, në janar të vitit 2009, me pronarin kompanisë nga Shqipëria, Viktor Delia dhe një njeri tjetër, Haxhi Shala, nga Prishtina, të cekur si “persona të autorizuar” për të operuar në emër të kompanisë në Kosovë.

Limaj dhe Haxhi Shala kanë lidhje të afërta mes vete. Sipas të dhënave të TNKY-s, ata janë kushërinj, kanë ndjekur shkollën bashkë dhe kanë jetuar së bashku  në vitet e 90-ta në Zvicër pasi e kanë lëshuar Kosovën. Janë kthyer në Kosovë, përsëri bashkë, për të luftuar në radhët e UÇK-së. Shala, kolonel në Forcat e Sigurisë të Kosovës, ushtria e aspiruar e Kosovës, ndjek rregullisht ngjarjet komemorative me Limajn.

Kur Prishtina Insight ka kontaktuar me z. Shala, ai thotë se nuk ka punuar për Delia Group, duke sugjeruar që cekja e emrit të tij “ishte një gabim”. Ai na propozoi të kontaktojmë me pronarët, për të cilët ai kishte dijeni se ishin “vëllezërit Delia”.

Disa minuta me vonë, një anëtar i stafit të Delia Group na telefonon për të konfirmuar që Shala kishte punuar për firmën, por nuk ishte më me ta, për shkak të “ndryshimeve në strukturën e stafit”. Na sugjeroi të flasim me pronarin, Viktor Delia, i cili nuk na i ktheu telefonatat.

Këshilltari i ministrit, Endrit Shala, shpjegoi se Haxhi Shala ndoshta ka pasur të bëjë me firmën për shkak se koloneli “ka jetuar” në adresën e Delia Group.

Mirëpo, kur Prishtina Insight ia tregoi këshilltarit kopjen e një dokumenti të kompanisë nga regjistri i bizneseve, ku Haxhi Shala ceket si njëri nga “personat e autorizuar” të firmës, ai nuk dha ndonjë sqarim tjetër.

Tenderët kanë qenë të hapur për të gjithë ofertuesit dhe janë ndarë në bazë të ofertës “ekonomikisht më të favorshme”, që do të thotë se bordi i prokurimit, para se të vendosë për fituesin, është dashur t’i bëjë vlerësimet në bazë të kritereve të ndryshme, duke përfshirë çmimin, cilësinë dhe aspektet tjera.

Bordi kishte thënë që oferta 11.8 milionëshe e Delia Group kishte qenë më e mira, edhe pse një firmë tjetër kishte aplikuar me një ofertë më të ulët prej 11.5 milionë eurove.

Gjatë kohës së kufizuar të rezervuar për Prishtina Insight për shikimin e raportit të evaluimit të ofertave, procesi duket të ketë shkuar si duhet.

Prishtina Insight, po ashtu, kupton që një mik tjetër i ministrit, Habib Morina, gjithashtu, nga Malisheva, ka fituar dy tenderë të mëdhenj rrugorë, në vlerë prej 5.8 milionë respektivisht 4.5 milionë euro. Informatat janë marrë nga dokumentet e ndarjes së tenderëve dhe nga shënimet e kompanisë në regjistrin e bizneseve të Kosovës.

Firma e Morinës, Patroni, e njohur më mirë si pronarët e një zinxhiri të pompave të benzinës, fitoi kontratën prej 4.5 milion eurove për ndërtimin e rrugës Arllat-Xërxë, në rajonin e Malishevës, në shtator të vitit 2008 si pjesë e një konzorciumi.

Një auditim i raporteve financiare të ministrisë nga Auditori i Përgjithshëm për atë vit, zbuloi që një tjetër ofertues kishte ofruar kryerjen e punës së njëjtë për një shumë më të vogël të hollash. Ministria thotë që konzorciumi i Morinës kishte shënuar maksimumin e pikëve “në kuadër të kritereve teknike”.

Sido që të jetë, auditorët theksuan se nuk kishin vërejtur “ndonjë përparësi të madhe” në aspektet teknike ndërmjet ofertës së Morinës dhe ofertës rivale më të lirë. Ministria nuk iu është përgjigjur kërkesave për sqarime.

Po ashtu, auditimi zbuloi që një kompani tjetër në konzorciumin Patroni, Jehona, nuk kishte përmbushur udhëzimet për aplikim për shkak se nuk e kishte dorëzuar raportin e auditimit për vitin 2007. Si rezultat i kësaj, i tërë konzorciumi ka qenë dashur të diskualifikohet nga tenderi.

Ndërkohë, AHN Group i Morinës, fiton një tender të madh për rrugët në korrik të vitit 2009, në vlerë prej 5.8 milionë eurove, për ndërtimin e një pjese të rrugës për në Mitrovicë, si pjesë e një konzorciumi me Timi Krsko, firmë kjo nga Sllovenia, pronarët e së cilës, gjithashtu, vijnë nga Malisheva. Përsëri, Morina e fitoi tenderin edhe pse oferta e tij nuk ishte më e ulëta për nga çmimi.

Kjo është teknikisht e pranueshme, ashtu siç theksojnë rregullat e tenderimit se do të përzgjidhet kompania “ekonomikisht më e favorshme” – e jo domosdoshmërisht kompania e cila paraqet ofertën me çmimin më të ulët.

Prapëseprapë, sipas vlerësimit të ofertave nga ana e bordit të prokurimit, të cilin e ka parë Prishtina Insight, AHN Group dhe Timi Krsko kanë dështuar në sigurimin e dokumenteve kyçe, përfshirë kopjet e kontratave që e vërtetojnë sasinë e punës të cilën firmat e tyre e kanë kryer përgjatë tre viteve të fundit dhe detajet e stafit të tyre teknik. Dështimi në dorëzimin e dokumenteve të tilla, zakonisht shpie në diskualifikimin e ofertave.

Morina mohon që suksesi i tij në fitimin e kontratave ka të bëjë me miqësinë ndërmjet tij dhe ministrit. “Jam mik i ngushtë i ministrit Limaj, por kjo nuk do të thotë që kompania ime ka ndonjë përparësi kur janë në pyetje tenderët,” thotë ai për Prishtina Insight.

Morina vazhdon tutje duke thënë se kishte rrënuar dy pompa të veta të benzinës, në Vragoli dhe Komoran, në vlerë prej rreth 200,000 eurosh, me urdhër nga ministria, për shkak se ndërtohej një rrugë mbi ato hapësira. “Do të duhej të kërkoja shumë nga ministri për këtë”, bën shaka ai.


Papërvoja nuk është problem:

Prishtina Insight po ashtu zbulon se kompanitë që kanë pak përvojë, staf të mangët dhe të cilat duket të jenë regjistruar vetëm pasi janë fituar kontratat, kanë fituar tenderë madhorë.

Një prej tyre është firma me bazë në Prishtinë-Projekti Damastion, i cili sipas regjistrave zyrtare të bizneseve të Kosovës, është themeluar në nëntor të vitit 2008 me vetëm dy anëtarë stafi.

Damastion lidhë kontratën e parë të saj në vlerë prej 3 milionë eurosh me Ministrinë e Transportit në tetor të vitit 2008, sipas arkivit të agjencisë së prokurimit, madje para se firma të ketë qenë regjistruar.

Në fillim, Damastion bashkëpunoi me dy kompani tjera për ta përgatitur tenderin e tyre të parë. Në dhjetor të vitit 2009, me forca vetanake, e fituan projektin 4.6 milionësh për ndërtimin e një rruge në rajonin e Podujevës në veriperëndim të Kosovës.

Kur Prishtina Insight arriti të kontaktojë me pronarin e Damastion, Visar Tahirin, ky i fundit tha se regjistrat zyrtare janë të pasakta, meqë kompania është krijuar në vitin 2004. Ai tha se data e regjistrimit është ndryshuar në nëntor 2008, kur kompania e ka modifikuar të dhënat e saj në regjistrin e bizneseve.

Regjistri i bizneseve i Kosovës nuk arrin të përgjigjet në pyetjen specifike nëse ata kishin bërë gabim në datën e regjistrimit, mirëpo shefi ekzekutiv, Mehdi Pllashniku, i thotë Prishtina Insight-it se, në përgjithësi, nuk do ta ndryshonin “datën e konstituimit” të një firme, po që se kompania më vonë bën ndryshime në regjistrin zyrtar.

Tahiri, pranon që firma kishte pasur vetëm dy anëtarë stafi kur është regjistruar, por thotë se ishte zgjeruar që atëherë në 15. Veç kësaj, ai thotë se kompania e tij, ka qenë më profesionale sesa shumë firma të vjetra profesionale dhe se ka qenë në përputhshmëri me të gjitha kushtet për një tender. Kjo, ndonjëherë, ka nënkuptuar që Projekti Damastion është dashur të dorëzojë 6,000 faqe dokumentacion për ta fituar një tender.

Endrit Shala thotë që kompanitë është dashur t’i përmbushin kushtet e caktuara për fitimin e tenderëve, siç është pjesëmarrja në projektet e mëparshme të ndërtimit të rrugëve deri në një masë të caktuar dhe posedimi i stafit me përvojë. Ai thotë se një prej problemeve ishte që në Kosovë kishte pak firma që kishin përvojë të madhe në këtë fushë. “Shumica e tyre nuk kanë bërë ndërtime në Kosovë përgjatë 20 viteve të fundit,” thotë ai. Ai, po ashtu, thotë se për shkak të numrit të vogël dhe mungesës së përvojës nga ana e firmave, shumica e tenderëve për rrugë u janë ndarë konzorciumeve.

Pronari i njërës prej firmave më të suksesshme dhe më të mëdha të ndërtimit të rrugëve, i cili ka kërkuar që mos t’i përmendet emri, nga frika e “hakmarrjes” nga ministria, thotë se shfrytëzimi i tenderëve nga firmat e papërvojë, të gatshme për të dhënë ryshfete, kanë çuar në rënien e cilësisë.

“Ne nuk mund të fitojmë tenderë, sepse nuk i japim para qeverisë”, pohon biznesmeni. “Ata vijnë tek unë dhe më kërkojnë para, por nëse do ta bëja këtë, atëherë çmimi i punës do të ishte më i lartë,” shpjegon ai.  

“Kompanitë tjera e bëjnë një gjë të tillë (japin ryshfete v.j.) pastaj mungojnë disa centimetra të zhavorrit dhe asfaltit, e që është arsyeja pse cilësia e asfaltit të tyre është e dobët”.

Ky njeri thotë se është tërhequr nga puna që zhvillohej ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, mu për shkak të cilësisë së dobët të zhavorrit të përdorur atje. Ai thotë, se cilësia ishte aq e keqe, saqë makinat e tij për shtruarjen e asfaltit filluan të fundoseshin në rrugën e shtruar.

Janë shpenzuar rreth 7 milionë euro në këtë segment të rrugës, ndërmjet Prishtinës dhe Lipjanit, që është njëra prej rrugëve të pakta me dy kalime në Kosovë. Pjesë të kësaj rruge tashmë janë të plasaritura dhe me gropa.

Megjithëkëtë, Endrit Shala vazhdon të pohojë se rruga është shtruar sipas standardeve më të larta. Ai thotë se ekspertët e ministrisë kanë këshilluar që të shtyhet shtruarja e shtresës së tretë të asfaltit deri në vitin e ardhshëm për shkak të motit të ligë.
Cilësia po aq e rëndësishme sa edhe sasia:

Myzejene Selmani, kryetare e komisionit të Kosovës për ekonomi, tregti, industri, elektricitet, transport dhe telekomunikim dhe zëvendëskryetare e partisë opozitare, Aleanca e Re e Kosovës, thotë se korrupsioni në tenderët e rrugëve është shqetësim i madh.

“Duke pasur parasysh se Ministria e Transportit ka një buxhet i cili është tre herë më i madh sesa i cilësdo ministri tjetër dhe e cila e ka shpenzuar tërë buxhetin e saj në infrastrukturën rrugore, është turp të kihet një cilësi aq e dobët e rrugëve në Kosovë,” pohon ajo.

“E ngas makinën time mbi këto rrugë, dhe në to ka shumë gropa,” shton ajo. “Qeveria inauguron dhe prenë shumë shirita të kuq, por e tërë është sa për marketing. Tenderët nuk ndahen si duhet, duke e ndjekur ligjin … Kompanitë që i fitojnë tenderët nuk janë të kualifikuara.”

Selmani pohon se gjashtë muaj pasi shumë rrugë të reja të kenë përfunduar, Ministrisë i i janë dashur të njëjtat shuma të parave, përsëri dhe përsëri, për riparime. “Kompanitë që merren me ndërtimin e rrugëve, nuk kanë fare ide si duhet të ndërtohet një rrugë, ato kanë vetëm lidhje me Ministrinë e Transportit,” pohon ajo. Ajo, po ashtu, thekson cilësinë e dobët të rrugës Prishtinë-Shkup.

Një zhvillim tjetër që ka nxitur shqetësime në dy vitet e fundit është ardhja e firmave nga Shqipëria në tregun e rrugë-ndërtimit në Kosovë. Firmat lokale për ndërtimin e rrugëve ankohen se firmat nga Shqipëria bëjnë manipulime në proceset e tenderimit.

Menaxheri i një kompanie të madhe të ndërtimit të rrugëve përmendi më herët se kompanitë nga Shqipëria fitojnë tenderët në Kosovë “sepse manipulimi (i tenderëve v.j.) mund të bëhet shumë lehtë” … në anën tjetër, kompanitë nga Kosova nuk mund të punojnë në Shqipëri – kam qenë atje si një nën-kontraktues, por e lëshova Shqipërinë për shkak të kërcënimeve të marra”.

Endrit Shala pranon se ekziston nevoja për përmirësimin e cilësisë së rrugëve të reja, por se ministria ka bërë hapa të mëdhenj drejt përmirësimit të monitorimit të ndërtimit të rrugëve. “Ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar, mirëpo cilësia e rrugëve është shumë më e mirë tani sesa që ka qenë përgjatë viteve 2007-2008,” thotë ai. Ai shton se, qeveria i ka rikthyer inspektimet qeveritare të rrugëve dhe ka angazhuar 20-30 ekspertë për të punuar në këtë çështje.

Në vitin 2008, një kompani spanjolle e fiton punën për verifikimin e cilësisë së rrugëve dhe të materialeve të përdorura, kështu që, shprehet Shala, të gjitha rrugët tani janë duke kaluar nëpër teste laboratorike.

Ai thotë se ministria, po ashtu, ka futur në kontrata obligimin e riparimit për periudhën dy vjeçare pas përfundimit të rrugëve nga ana e kompanisë ndërtimore dhe për t’u siguruar që një gjë e tillë është duke ndodhur, ministria ndalë 10% të vlerës së kontratës derisa të përfundojë periudha e garancionit.

Safet Gërxhaliu, zëvendëskryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se secili prej nesh dëshironim rrugë më të mira dhe investime në infrastrukturën kryesore, siç është autostrada e planifikuar Merdare-Vermicë që shpie për në kufirin me Shqipërinë, e që një gjë e tillë do ta shndërronte Kosovën në një shtet transit për mallrat ndërkombëtare.

Mirëpo, sasia nuk e zëvendëson cilësinë. “Nuk mjafton vetëm të investohet, duhet të kemi cilësi të mirë, e cilësia nuk është e mirë”, shprehet ai. “Nëse pas një viti duhet t’i kthehemi të njëjtës rrugë, atëherë jemi duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës.”

HULUMTIM: Ish-policët udhëheqin dallaveret me pasaporta

06 12 2006   Për derisa shumica e shqiptarëve të Kosovës e kanë të vështirë të nxjerrin dokumente jugosllave të udhëtimit, reketuesit fare lehtë shesin gjithfarë dokumentesh për një shumë të caktuar parash.

Nga Krenar Gashi dhe ekipet e BIRN-it në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi"Për 300 euro, mund të t’i nxjerr të gjitha dokumentet brenda një dite,” tha Sajo, ish pjesëtar i policisë serbe në Kosovë që tash jeton në Rozhajë të Malit të Zi. “Të gjitha për një herë - certifikatën e lindjes, atë të nënshtetësisë, letërnjoftimin e edhe pasaportën."

Sajo u shet kosovarëve dokumente të Jugosllavisë. Ka shumë të tillë si ai në Mal të Zi por dhe Kosovë, ku po lulëzon tregtia fitimprurëse e pasaportave dhe dokumenteve tjera të nxjerra në mënyrë ilegale.

Në një hulumtim special e të fshehtë, BIRN-i zbuloi se kosovarët rregullisht u paguajnë shuma të mëdha të parave njerëzve si Sajo, për të nxjerrë versione të reja të pasaportave të vjetra jugosllave.

Dokumentet jugosllave janë ende valide në rajon dhe në të vërtetë vazhdojnë të lëshohen nga Serbia, e cila e sheh veten si pasardhëse të Jugosllavisë dhe ende nuk i ka reformuar autoritetet e lëshimit të pasaportave.

Ne e hulumtuam tregun e pasaportave të vendosur nga një rrjet mashtruesit, të cilët luajnë rolin e ndërmjetësve në mes të njerëzve të zakonshëm dhe institucioneve komplekse të qeverisë serbe në rajon.

Po ashtu morëm vesh se republika rishtas e pavarësuar e Malit të Zi është një nyje vitale në dallaveret e pasaportave dhe dokumenteve tjera.

Më e pazakonshmja në tërë këtë punë është se ish-policët, si Sajo, janë nyjat kyçe në një zinxhir ilegal të tregtisë me dokumente.

Edhe pse ligji serb e përcakton qartë se njerëzit duhet të aplikojnë personalisht për dokumente, këta ndërmjetës mund ta kryejnë këtë procedurë në vend të dikujt tjetër, madje edhe disa herë.

Ata po ashtu mund ta bëjnë këtë brenda një dite, si Sajo, ani pse rregulloret serbe thonë se nevojitet së paku një javë kohë për këtë proces.

Për të sqaruar këtë fenomen, Ballkan Insajt provoi të bisedonte me ministrinë e punëve të brendshme të Serbisë, por ata refuzuan të japin çfarëdo komenti.


KOSOVA - TREGU IDEAL

Si ish shtetas të federatës së vjetër jugosllave, shqiptarët e Kosovës kanë poseduar letërnjoftime dhe pasaporta jugosllave deri në vitin 1999.

Por pasi që konflikti në mes të forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zgjerua dhe pasi qindra mijëra njerëz u përzunë në vendet fqinje, autoritetet serbe ua konfiskuan shumicës prej tyre dokumentet personale.

Në janar të vitit 2001, UNMIK-u filloi të lëshojë dokumente të udhëtimit nën emrin e vet. Shumica e shteteve i pranojnë këto dokumente, por vetëm kur janë të shoqëruara me viza, derisa Shqipëria dhe Maqedonia janë të vetmet që nuk kërkojnë viza.

Mirëpo dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut nuk e kanë zgjidhur problemin dhe as nuk e kanë shkatërruar tregun e dokumenteve ilegale.

Jo të gjithë kosovarët kanë, apo dëshirojnë të kenë, dokumente të UNMIK-ut. Shumë shqiptarë ende preferojnë pasaportat e vjetra jugosllave, pasi që me to, edhe pa viza, mund të hyjnë në disa vende në rajon si në Bullgari, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Pika e parë e hulumtimit tonë filloi në një vend etnikisht të përzier, në Fushë Kosovë, rreth tre kilometra larg Prishtinës.

Këtu e gjetëm një radhë të madhe të shqiptarëve duke pritur për dokumente të reja jugosllave jashtë zyrës së ruajtur mirë, të quajtur Qendra për Paqe dhe Tolerancë.

Në të vërtetë, kjo është një qendër e pasaportave dhe dokumenteve, një nga disa zyret e administratës serbe që kanë mbetur në Kosovë.

Ministria e brendshme e Serbisë konfirmoi që shumë banorë të Kosovës qendrore, serbë dhe shqiptarë, e përdorin këtë qendër për të nxjerrë dokumente.

Miodrag Jankoviq, një zyrtar i kësaj ministrie i tha të përditshmes “Koha Ditore”, se që nga qershori i vitit 1999 e deri më prill 2006, kjo ministri ka pranuar 179,409 aplikacione për pasaporta të reja dhe i ka lëshuar 164,493 sosh.

Mirëpo qendra nuk mund t’ua zgjidhë të gjitha vështirësitë e udhëtimit shqiptarëve nga e gjithë Kosova. Ajo merret vetëm me aplikantët që kanë lindur në rajonin e Prishtinës. Zyrat tjera komunale, të njohura si SUP (Sekretariati i Punëve të Brendshme) që duhet të merren me njerëzit që kanë lindur tjetërkund, tashmë nuk operojnë në Kosovë, por në Serbi.

Për shembull, SUP-i i Prishtinës tash e ka selinë në Nish. SUP-i për Mitrovicën është në Kraljevë, ai për Pejën është në Kragujevc, i Gjilanit në Vranje, i Ferizajit në Leskovc, i Gjakovës në Jagodinë dhe i Prizrenit në Krushevc.

Shqiptarët nga këto rajone janë të obliguar që personalisht t’i vizitojnë këto qytete në Serbi nëse dëshirojnë të pajisen me dokumente udhëtimi.

Kësisoj, ata vihen para thënies “hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”. Për të marrë dokumentet duhet të shkojnë në Serbi, kurse për të shkuar në Serbi iu duhen dokumentet, ngase policia në kufirin administrativ me Serbinë nuk i njeh dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut.

Këtu vijnë ndërmjetësuesit, ata që kanë lidhje me zyrat e SUP-it në Serbi. Me “bashkëpunimin” e tyre, e gjithë puna e ngatërruar mund të zgjidhet fare lehtë.

DALLAVERET

Ndërmjetësuesit mund ti gjesh jashtë zyrës së Fushë Kosovës. Ata janë shqiptarë dhe u ofrojnë shërbime bashkëkombësve të tyre të cilët ose nuk kanë kohë për punë administrative ose nuk i kanë të gjitha dokumentet për të kryer punë.

Zyrat e dobëta dhe procedurat e mëdha burokratike nënkuptojnë se edhe aplikantët me letrat në rregull ballafaqohen me vonesa që zgjasin me javë, para se t’i marrin pasaportat. Shumë prej tyre nuk mund të presin aq gjatë.

Pas pak çasteve qëndrimi para qendrës, një ndërmjetësues na u ofrua për të promovuar biznesin e vet. “Nuk e keni certifikatën e lindjes? Nuk do t’ju lënë brenda pa të,” na tha.

Ky njeri na ofroi të na vë në kontakt me një lidhje të tij në enklavën serbe të Bernicës, ku ai tha që mund të nxirren dokumentet për kohë rekord të shkurtër.

"Nëse shkoni zyrtarisht, do t’ju zgjasë tri apo katër javë për t’i marrë dokumentet, por unë mund ta rregulloj këtë punë brenda dy ose tri ditëve, për 150 euro,” tha ai.

Pasi që bëmë pak pazar, ai e zvogëloi çmimin në 130 - “oferta e fundit”, siç na tha. Ai tha që kostoja diktohet nga nevoja për t’i paguar “lidhjet e tij më të larta”.

Zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK, të cilët e ruajnë zyrën e pasaportave të Fushë Kosovës, nuk i trazojnë fare ndërmjetësuesit. Këtë nuk e bëjnë as policia speciale e UNMIK-ut nga Ukraina e cila po ashtu ndihmon në mbajtjen e rendit.

Por ndërmjetësit veprojnë në zbrazëtirat ligjore që ka Kosova dhe situatën e pazakontë që është krijuar. Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së, tha për Ballkan Insajt se policia është e obliguar ta arrestojë çdo person të kyçur në kontrabandën e pasaportave false.

"E kemi pasur një rast këtë vit, kur disa njerëz u kapën me pasaporta austriake false... dhe këta njerëz shkuan në burg,” tha ai. “Çdokush që përfshihet në këtë aktivitet për përfitime, është duke kryer krim.”

Por është më pak e lehtë për t’i kapur apo dënuar njerëzit e përfshirë në nxjerrjen e pasaportave ligjore nga autoritet e adekuate që i lëshojnë ato, edhe pse mënyra se si ato nxirren është në kundërshtim me ligjin.

Blerim Ejupi, avokat nga Prishtina, tha që njëri nga problemet në Kosovë është statusi i paqartë i tërë kodit ligjor.

"Sipas rregulloreve të UNMIK-ut, ligjet serbe që hynë në fuqi pas vitit 1989 nuk janë të aplikueshme në Kosovë, prandaj SHPK-ja, si institucion i Kosovës, nuk është e obliguar t’i zbatojë të gjitha ligjet serbe,” tha ai.

Por Ejupi mendon se kjo nuk është arsye për të mos i përndjekur ndërmjetësuesit. “Tregtia me pasaportat jugosllave në Kosovë është aktivitet ilegal, sipas së drejtes së Kosovës në tranzicion”, përfundoi ai.

Kohën e fundit ndërmjetësuesit janë vetëdijesuar për këtë fakt andaj edhe ngurrojnë të japin emra të vërtetë dhe numra të telefonit.

"Ma jepni numrin tuaj dhe unë do t’ju thërras. E njoh një njeri që e ka një njeri që mund t’ju ndihmojë,” na tha një ndërmjetësues i quajtur Sami.

Për të parë se deri ku mund të shkojë ky ndërmjetësim, ne e kontaktuam atë dhe i kërkuam që të na e ndreqë një pasaportë jugosllave për “mik tonin” nga Shqipëria, i cili nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë dokument jugosllav.

"Ky tipi që e njoh unë ndreq gjithçka," u përgjigj Samiu, duke e vënë në kuletë një copë letre ku e shkroi numrin tonë. “Por, për këtë gjë, ndoshta duhet ta provoni dikë në Mal të Zi."


MIRË SE VINI NË MAL TË ZI

Republika rishtas e pavarësuar e Malit të Zi formon një lidhje vitale në dallaveret me pasaporta dhe dokumente tjera.

Qendra e këtij aktiviteti është Rozhaja, një qytet multietnik me një komunitet të vogël të shqiptarëve, i cili gjendet rreth 10 kilometra në perëndim të vendkalimit kufitar të Kullës.

Rozhaja ka funksionuar gjatë si një vendtakim diskret për serbët dhe shqiptarët e Kosovës. “Këtu janë shitur gjysma e shtëpive dhe tokave të Kosovës pas vitit 1999,” na tha një kamerier.

Pasi që OKB-ja e mori përsipër Kosovën, shumë serbë ua shitën pronat e tyre shqiptarëve, duke bërë pazar kryesisht në Mal të Zi, në vendet si Rozhaja, pasi ishte një territor neutral.

Që nga atëherë, Rozhaja e ka mbajtur rolin e saj si një vend ku mund të bëhen marrëveshje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe ku ndërmjetësuesit mund të krijojnë kontakte të mira me ish-policët, të cilët ende kanë lidhje me zyrat e ministrisë serbe të punëve të brendshme.

Në një kafene të mbushur, afër stacionit te autobusëve, një kamerier nuk u befasua fare kur e pyetëm rreth nxjerrjes së pasaportave.

Ai na ofroi të na njoftojë me një ish polic të Kosovës, i cili kishte bërë dallavere në atë kafene për një kohë të gjatë. “Rrinte ulur në atë kënd dhe i priste klientët,” tha kamerieri.

Pasi që ky ish-polici që quhej Sajo që grindur me pronarin e kafenesë, e paska zhvendosur biznesin e tij diku tjetër. Kamerieri na e shkroi numrin e tij të telefonit. “Sajo ka lidhje të mira në polici... ai është në këtë biznes për shumë vjet.” na sqaroi.

Kur e takuam Sajon në një piceri aty afër, ai na e konfirmoi se ka punuar për nëntë vite në Kosovë, në Vushtrri, deri në qershor të vitit 1999 kur regjimi serb u tërhoq.

Që nga atëherë, Sajo kishte ngelur civil por i kishte mbajtur lidhjet me ish kolegët që ende punonin në forcat policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

"Lidhjet me ish kolegët e mi janë gjëja e vetme e hajrit që e kam nga puna e mëparshme,” tha ai.

"Kam shokë që punojnë drejtpërdrejt në Kosovë. Ata lëvizin lirë atje. Nuk ka më rrezik për ish-policët që shkojnë në Kosovë... tash situata është qetësuar.”

Ai na tha se edhe ai vetë ka shkuar disa herë në Kosovë, me punë, por tha që “preferon të bëjë biznes në vendlindjen e vet – në Rozhajë”.

Sajo e përmendi edhe një tjetër ish-polic, të quajtur Bane apo Branislav, i cili merret më të njëjtën punë.

"Bane vepron në Kosovë. Ai vozitë një Jugo të kuqë (veturë jugosllave) me tabela PE (ish tabelat jugosllave për Pejën) dhe vjen e shkon lirshëm,” tha Sajo dhe shtoi se Bane dhe të tjerët si ai kanë shumë klientë në Kosovë që kërkojnë dokumente.

Përdorimi i tabelave të vjetra të veturave nga ana e ndërmjetësuesve bëhet qëllimshëm.. Tabelat e tilla tash janë në fakt ilegale, por në praktikë serbët e Kosovës ende i përdorin ato, duke i refuzuar tabelat e reja të Kosovës.

Të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë kriminelë, të cilëve u pëlqen fakti që policia e Kosovës i shmanget ndaljes dhe kontrollimit të veturave serbe.

"Është lehtë t’i kontaktojmë njerëzit tanë në SUP-ët në Serbi,” vazhdoi Sajo. “Po të mos ishin lidhjet tona të vjetra me ta, do të ishte vështirë të kryhej kjo punë."

Sajo na e konfirmoi se ai dhe ish policët tjerë janë zakonisht pikat e para të kontaktit në mes të ndërmjetësuesve dhe zyrave të SUP-it.

Edhe pse Mali i Zi tash është i pavarur nga Serbia, marrëdhëniet e vjetra në mes të policive në të dy anët e kufirit kanë mbetur të paprishura.

Ai po ashtu pohoi se me një shumë parash, gjithkush und t’i shmanget ligjit.

Sipas ligjit serb, vetëm njerëzit që kanë letërnjoftime valide mund të aplikojnë për pasaporta. Ndërkohë që këto letërnjoftime nuk mund të nxirren pa e dorëzuar certifikatën e lindjes dhe certifikatën e shtetësisë.

Sajo tha se ai mund t’i sigurojë të gjitha për një çmim të caktuar. “Unë u marr 50 euro për të dyja dokumentet, certifikatën e lindjes dhe atë të shtetësisë,” tha ai. “Nëse i doni të gjitha përnjëherë, duke përfshirë edhe pasaportën, kjo do t’ju kushtojë 300 euro.”

"Por, këto çmime vlejnë vetëm për ata që vijnë me mua deri te SUP-i lokal për të dhënë shenjat e gishtërinjve,” vazhdoi ai. “Atyre që nuk mund të vijnë u kushton shumë më shtrenjtë - - rreth 900 euro.”

Çmimi shumë më i lartë për këtë të fundit e pasqyron faktin se kjo praktikë është rreptësishtë joligjore.

Kosovarët tash i kanë dy mënyra për t’i nxjerrë dokumentet personale, metodën e rregullt dhe rrugën e shpejtë. Derisa rruga e shpejtë sa vjen e popullarizohet, shumë ankohen, veçanërisht serbët, se procedura e rregullt është duke u ngadalësuar edhe më tej.

Në zyrat komunale të enklavës serbe në Graçanicë dëgjuam një serb në mezomoshë duke murmuritur për mënyrën se si sistemi ligjor është duke u shkatërruar. “Shqiptarët i kanë korruptuar institucionet tona dhe tash as ne serbët nuk mund të marrim shërbime të duhura publike nga institucionet tona,” tha ai.

Duket se ankesa të tilla nuk do të kenë ndikim në tregtinë e cila përmbushë kërkesa të qarta. Dy javë pasi e takuam një shqiptar duke pritur në radhë në Fushë Kosovë, e kuptuam se ai e kishte zgjidhur problemin e tij të pasaportës përmes ndërmjetësuesve të paguar.

Adi ishte lodhur duke pritur dhe duke iu refuzuar pasaporta për ato që ai quajti “arsye të pakuptimta”, kështu që vendosi ta nxjerrë atë përmes një ndërmjetësuesi për vetëm tri ditë. “E bleva pasaportën,” tha ai me krenari.

Krenar Gashi është ndihmës-redaktor i BIRN-it në Kosovë. Ekipet e BIRN-it nga Kosova dhe Serbia po ashtu kontribuuan në këtë hulumtim. Ballkan Insajt është publikim analitik javor në internet, i përpiluar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

HULUMTIM: Ish-policët udhëheqin dallaveret me pasaporta

06 12 2006   Për derisa shumica e shqiptarëve të Kosovës e kanë të vështirë të nxjerrin dokumente jugosllave të udhëtimit, reketuesit fare lehtë shesin gjithfarë dokumentesh për një shumë të caktuar parash.

Nga Krenar Gashi dhe ekipet e BIRN-it në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi Më shumë