
Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente
Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë.
Më shumë
Klikoni këtu për të shikuar edicionin e fundit të emisionit "Jeta në Kosovë"!
Më shumë
23 shkurt 2007 Policia ndërkombëtare akuzohet të ketë ushtruar forcë të tepruar gjatë protestës.
Nga Jeta Xharra e Krenar Gashi në Prishtinë dhe Marian Chiriac në Bukuresht
Hulumtimi i Balkan Insight tregon se policët rumunë të OKB-së duket t’i kenë shkelur rregullat e tyre gjatë demonstratës së 10 shkurtit në Prishtinë, e cila rezultoi me vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 80 të tjerëve.
Ekzaminimi, i bazuar në vrojtime të protestës, qasje në xhirime ekskluzive dhe intervistat e shumta me zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës, SHPK, si dhe me protestuesit, tregon se policia e OKB-së ka gjuajtur plumba gome nga një distancë e afërt, duke shënjuar edhe në kokat e protestuesve.
Ekspertë të shumtë dhe organizata për të drejta të njeriut thonë se një veprim i tillë, i cili tashmë ka rezultuar me trazira në UNMIK dhe me dorëheqjen e komisionerit të policisë, është një veprim shumë i gabueshëm dhe kundër rregullave të OKB-së për sjelljen e policisë.
Pos kësaj, Ballkan Insight ka zbuluar se policia rumune e ka një përvojë të keqe në përdorimin e forcës kundër civilëve.
Protesta ishte trazira më serioze në Kosovë, që nga trazirat e marsit të vitit 2004, të cilat çuan në vdekjen e 19 njerëzve dhe lanë mijëra serbë pa kulm mbi kokë.
Rreth 3,000 mijë njerëz iu bashkuan protestës më 10 shkurt, për të protestuar kundër propozimit të OKB-së për statusin final të Kosovës.
Protestuesit deklaruan se propozimi i bën shumë koncesione minoritetit serb në Kosovë dhe qeverisë serbe në Beograd. Serbia e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se ajo është një pjesë integrale e territorit të saj.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome kur protestuesit u përpoqën të thyenin kordonin e policisë, për ta vazhduar marshimin drejt ndërtesave qeveritare. Xhirimet po ashtu tregojnë se protestuesit kanë gjuajtur gurë dhe objekte tjera të rënda në policinë, duke përfshirë edhe mbajtëse të drunjta të parullave.
Në ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje, e cila e organizoi protestën e 10 shkurtit, ka paralajmëruar një protestë të re për 3 mars, gjë që e ka rritur frikën për konfrontime të reja në mes të përkrahësve radikal të pavarësisë dhe të autoriteteve.
Lideri karizmatik i Vetëvendosjes, dikur lider studentor, Albin Kurti, është arrestuar pas protestave dhe ende gjendet në burg.
Komisioni për mjekësi ligjore i përbërë nga tre ekspertë ndërkombëtarë dhe një vendas, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se autopsia e bërë në dy viktimat e protestës së 10 shkurtit, Arben Xheladini dhe Man Balaj, tregon se këta dy kanë vdekur nga plagët që plumbat e gomës ua kanë shkaktuar në kokë.
Sipas organizatës për të drejta të njeriut, Amnesty International, plumbat e gomës kanë potencial vdekjeprurës dhe për arsye praktike duhet të trajtohen si armë zjarri.
Plumbat e gomës “duhet të përdoren vetëm nga policë të trajnuar për përdorimin e armëve të zjarrit dhe në mënyrë shumë rigoroze në pajtim me Principet Themelore të OKB-së për Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Zyrtarët për Zbatimin e Ligjit,” deklaruan Amnesty International më 15 shkurt.
Kjo rregullore e OKB-së thotë se “forcat e rendit nuk duhet të përdorin armë zjarri kundër personave, pos në vetëmbrojtje apo mbrojtje të të tjerëve gjatë kërcënimit të pashmangshëm për vdekje apo plagosje të rëndë”.
Gazetarët e Ballkan Insight, të cilët e përcollën protestën, ishin dëshmitarë të gjuajtjeve të policisë drejt protestuesve ani pse turma prej rreth 3,000 njerëzve ishte duke u zmbrapsur.
Pas shikimit të pesë orëve materialit filmik, gazetarët e Ballkan Insight kanë shënuar gjashtë raste në të cilat mund të shihet qartë policia ndërkombëtare rumune duke gjuajtur me plumba gome drejt turmës.
Veprimi i policëve rumun tashmë është vlerësuar nga shumëkush të ketë qenë i gabuar. Kur filmimet u ritransmetuan në xhirim të ngadalësuar në televizionin e Kosovës, RTK, më 16 shkurt, Nuredin Ibishi, ekspert për çështje policore dhe ish pjesëtar i policisë speciale në Jugosllavi, tha se ishte e qartë që rumunët e kishin tepruar dhe kishin gjuajtur nga një distancë e afërt.
“Me këto armë duhet të gjuhet në ekstremitete dhe drejt pjesës së poshtme të trupave të njerëzve, e jo drejtë në ta, ashtu siç mund ta shohim në xhirim. Nëse përdoren në një distancë prej [vetëm] 20 deri 50 metra dhe nëse gjuhet në kokë, nuk ka dyshim se këto armë mund të vrasin,” tha Ibishi.
“Në atë kohë, protestuesit ishin duke ikur dhe policia nuk ishte në kurrfarë rreziku,” shtoi ai.
Steven Schook, zëvendës i Përfaqësuesit Special të OKB-së në Kosovë, u pajtua që policia e UNMIK-ut ka gjuajtur me plumba gome në mënyrë jo të drejtë.
“Njerëzit nuk vdesin nga përdorimi i rregullt i plumbave të gomës, kjo është e sigurt,” tha Schook për Ballkan Insight më 15 shkurt.
Pasojat e protestës kanë shkaktuar debate serioze në Kosovë që arrijnë edhe brenda UNMIK-ut, rreth përgjegjësisë për atë që shumë e panë si forcë të tepruar policore.
Debati detyroi dy dorëheqje javën e kaluar, atë të ministrit të punëve të brendshme, Fatmir Rexhepi, i cili dha dorëheqje një ditë pas protestës, dhe Steven Curtis, kryekomisioneri i policisë së UNMIK-ut, që dha dorëheqje më 14 shkurt. Në ndërkohë, UNMIK-u ka formuar një komision special për ta hetuar çështjen.
Schook është i bindur se hetimi rreth protestës do të jetë i suksesshëm. “Ne e kemi marrë hetimin nga duart e policisë dhe e kemi vënë atë në duart e Departamentit te Drejtësisë. Kemi angazhuar prokurorin më të ashpër dhe më të mirë që e kemi, Bob Dean, për të mbikëqyrur këtë hetim,” shtoi ai.
Schook theksoi që hetimi do të jetë në duart e zyrtarëve të OKB-së që nuk janë të nacionaliteteve njëjta me ata kanë marrë pjesë në protestë. Kjo domethënë që nuk do të ketë ukrainas, rumunë dhe polakë të përfshirë në hetime.
Në Kosovë shërbejnë 115 pjesëtarë të Xhandarmërisë Rumune, që kryesisht merren me punë të kontrollimit të trazirave . Siç tha Bogdan Nicolae, zëdhënës i Xhandarmërisë, misioni i tyre është për “mbajtjen e rendit gjatë manifestimeve publike”.
Bogdan Nicolae insistonte se policia rumune do të bashkëpunojë plotësisht me ekzaminimet. Ata ende nuk kanë “fakte të qarta që njësiti i tyre në Kosovë ka përdorur plumba të gomës në protestë, por nëse kjo ka ndodhur, ne jemi të sigurt se polica e ka kryer punën e saj në pajtim me procedurat ligjore,” tha ai.
Nicolae e pranoi që rregullat e brendshme të Rumunisë që kanë të bëjnë me përdorimin e plumbave të gomës, aktualisht nuk aplikohen për policinë e saj në misionet ndërkombëtare si ky në Kosovë.
Në Kosovë, shpjegoi ai, zyrtarët rumunë veprojnë “në pajtim...me rregullat veçanërisht të dizajnuara për zona të dëmtuara nga luftërat. Prandaj, në një teatër të tillë të operimeve si në Kosovë, ne ju përmbahemi atyre rregullave dhe jo rregullave të vendit tonë.”
Schook tha se e konsideron “Kosovën si një ambient të sapo dalë nga konflikti – të gatshëm për hapin e ardhshëm, zgjidhjen e statusit të saj dhe të gatshëm për shkuarjen e UNMIK-ut dhe zëvendësimin e tij me një mision shumë më të vogël të BE-së. Besoj se tash jemi këtu”.
Por forcat rumune të policisë janë të kritikuara edhe në vendin e tyre. Grupe të të drejtave të njeriut në Rumani kanë theksuar se ata edhe më parë e kanë tërhequr vëmendjen në taktikat e policisë së vendit.
Istvan Haller, nga organizata Pro Europa League, LPE, tha se e ka të dokumentuar një rast që ka ndodhur në shtatorin e kaluar, në të cilin policia i kishte plagosur 30 romë gjatë një bastisjeje në një lagje rome në Apalina, Transilvani qendrore.
“Një person kishte përfunduar me 17 plumba të gomës në shpinë, gjë që e tregon shkallën e forcës së përdorur gjatë kësaj bastisjeje policore,” tha Haller për Ballkan Insight.
LPE dhe dega rumune e Komitetit të Helsinkit, në raportet e tyre e kanë kritikuar atë që thuhet të ketë qenë përdorim i tepërt i forcës nga policia rumune.
Një raport tjetër, i Komitetit Rumun të Helsinkit, APADOR-CH, e ka përshkruar atë si reflektim “të mos respektit të policëve ndaj së drejtës fundamentale për jetë në njërën anë, dhe në anën tjetër si reflektim të trajnimit të pamjaftueshëm profesional”.
Pjesëtarë të SHPK-së thanë për Ballkan Insight se ishin dështimet e policisë ato që çuan në vdekje dhe plagosje më 10 shkurt.
Një prej tyre e kritikoi nivelin e varfër të planifikimit para fillimit të protestës. “Kur komisionari i policisë pyeti paraprakisht cilat njësite kishin ”pajisje anti-trazira”, dolën njësitet polake, rumune dhe ukrainase si njësite që kanë pajisje,” tha ai. “Nuk i është dhënë shumë rëndësi asaj se kur dhe si do të përdoreshin plumbat e gomës.”
Policia vendase e Kosovës, kryesisht shqiptare, është e pajisur me armatim të lehtë. SHPK ka gaz lotsjellës dhe shufra por nuk ka qasje në plumba të gomës.
Policë tjerë të SHPK-së thanë se ish shefi i policisë Curtis ka bërë gabim që është munduar t’i mbajë jashtë fokusit policët vendas.
“Derisa komisionari i mëparshëm i policisë na ftonte ne që ta bënim draftin e parë të planifikimit kur duhej të merreshim me protesta, Curtis na la jashtë dhomës së planifikimit,” tha një polic.
Një pjesëtar tjetër i SHPK-së që ishte prezent në protesta e fajësoi SHPK-në për dështim në marrjen e udhëheqjes dhe për atë se është ndjerë rehat me mungesën e përgjegjësisë.
“Është e vërtetë se jemi lënë jashtë planifikimit të këtij operacioni, por, SHPK nuk ka protestuar në asnjë moment për këtë,” tha ai. “SHPK-së i pëlqen të mos marrë përgjegjësi për veprime serioze apo të ndjeshme.”
Pjesëtarë tjerë të SHPK-së u ankuan për Ballkan Insight, se nuk kanë qenë të pajisur me gaz maska në protestë, gjë që i ka lënë ata në disavantazh.
“E kemi pasur një numër të caktuar të gaz maskave dhe nuk kanë qenë të gjithë të pajisur me to, prandaj kur filluan përleshjet ne filluam t’i mbulonim sytë pasi që gazi lotsjellës na prekte edhe neve,” tha një polic.
“Mos pajisja e radhëve tona me gaz maska kur përafërsisht e dinim se do të përdornim gaz lotsjellës ishte një shenjë tjetër e planifikimit të keq dhe mungesës së koordinimit në mes njësiteve policore vendase dhe atyre ndërkombëtare”, tha një epror i SHPK-së.
Disa policë vendas e pranuan se ata ngurronin të përziheshin në detyrat e rënda të policisë kundër bashkëvendësve të tyre shqiptarë. “Ne jemi këtu për ta mbajtur rendin por rrahja e protestuesve ua përkujton njerëzve imazhet e policisë serbe gjatë viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta,” tha një polic.
“Kjo do të thotë se ne ishim më tolerant se sa do të duhej, që do të thotë se punët [si shpërndarja e turmës] mbetën tek të tjerët dhe vetëm zyrtarët ndërkombëtarë i kishin mjetet e duhura për këtë,” tha një pjesëtar tjetër i SHPK-së.
“Ne u desh të reagonim sepse protestuesit provuan ta thyenin kordonin tonë dhe të shkonin drejt ndërtesave qeveritare”, tha ai.
Nuredin Ibishi tha që policia ka mundur ta shpërndajë turmën me mjete tjera, siç janë topat e ujit. Mirëpo, Veton Elshani, zëdhënës i SHPK-së, tha se as SHPK-ja e as policia ndërkombëtare nuk kanë ndonjë top uji.
Edhe SHPK-ja edhe UNMIK-u thonë se kanë mësuar nga përvoja, madje kanë marrë masa edhe para publikimit të raportit të hetimeve, për t’u siguruar që ngjarjet e 10 shkurtit të mos përsëriten më.
“UNMIK e ka marrë një vendim jotipik dhe paprecedent duke kërkuar nga komisioneri i policisë që të japë dorëheqje, gjë që nuk ka ndodhur as pas trazirave të marsit [2004], dhe gjë që tregon se sa seriozisht jemi duke e marrë këtë çështje,” tha Schook .
Por disa kërkojnë më shumë se sa dorëheqjet individuale. Të tillët dëshirojnë që zyrtarëve të UNMIK-ut t’u hiqet imuniteti për ndjekje penale nga gjykatat vendase të Kosovës.
Sarah Maliqi, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, tha se “brenga kryesore është se si në rastet e mëparshme kur zyrtarë të policisë ndërkombëtare kanë gabuar diçka, gjëja më e keqe që mund t’u ndodhë atyre është që të dërgohen në shtëpi.”
Deklarata e 15 shkurtit e Amnesty International, gjithashtu kërkon që zyrtarëve ndërkombëtarë në UNMIK t’u hiqet imuniteti.
“Çdo polic i UNMIK-ut i dyshuar për veprime të paligjshme duhet të suspendohet automatikisht. Ata nuk duhet të kthehen në shtëpi, por duhet të mbesin në Kosovë derisa hetimet të tregojnë se a do të ketë baza për ndjekje penale apo jo,” deklaroi kjo organizatë e të drejtave të njeriut.
Jeta Xharra është drejtoreshë e BIRN-së për Kosovë. Marian Chiriac është drejtori i BIRN-së për Rumuni. Krenar Gashi është redaktor i BIRN për Kosovë. Ballkan Insajt është publikim në internet, i përpiluar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN
PROCESI I EMËRIMIT DHE RIEMËRIMIT TË GJYKATËSVE DHE PROKURORËVE
Raporti për emërimin dhe riemërimin e gjykatësve dhe prokorurorëve analizon rrjedhën e këtij procesi duke u foksuar në anët pozitive dhe ato të errëta që kanë karakterizuar këtë proces deri në përmbyllje të tij.
RAPORTI I MONITORIMIT TE GJYKATAVE PRILL 2010 - SHKURT 2011
Raporti për monitorimin e gjykatave është nxjerrë në bazë të monitorimit të vazhdueshëm në të gjitha gjykatat komunale dhe të qarkut të Kosovës. Të gjeturat e këtij raporti bazohen në monitorimin e 2,147 seancave gjyqësore nga ana e monitoruesve të BIRN-it.
Procesi i emërimit/riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve
Procesi i emërimit/riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve
NDIQ GJURMËT NËPËR LETRA
UDHËZUES PËR GAZETARI hulumtuese të bazuar në dokumente në Kosovë-shkurt 2011
Raporti i Monitorimit të Gjykatave 2010
Një raport i detajuar analitik për punën dhe administrimin e gjykatave të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt, Gjakovës,Deçanit, Vushtrrisë, Podujevës, Lipjanit, Klinës dhe Istogut. Raporti përmban informata të rëndësishme të grumbulluara nga rrjeti i monitoruesve, të vendosur në komunat
kryesore të Kosovës dhe ka për synim identifikimin e problemeve dhe çështjeve kryesore me të cilat përballet
sistemi gjyqësor në Kosovë.
Raporti i monitorimit të gjykatave 2009
Monitorimi i punës dhe i administrimit të gjykatave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Vushtrri dhe Skenderaj.
SISTEMI I ZGJEDHJES SË DREJTPËRDREJTË TË KRYETARIT NË QEVERISJEN LOKALE
Raporti Sistemi i Zgjedhjes së Drejtëpërdrejtë të Kryetarit në Qeverisjen Lokale synon të ofrojë një pasqyrë kritike për arsyeshmërinë dhe zbatueshmërinë e sistemit qeverisës komunal me Kryetarin e komunës si figurë qendrore ekzekutive, në vitin e tretë të zbatimit të tij. Shtyllat në të cilat është hulumtuar efikasiteti i këtij sistemi janë: raportet mes organeve të pushtetit lokal, llogaridhënia e ekzekutivit, respektimi i ligjit, lidhja e kryetarit me qytetarët, ofrimi i shërbimeve publike (furnizimi me ujë dhe menaxhimi i hedhurinave, investimet kapitale (në projekte shkollash e rrugësh), niveli i transparencës, konsultimet publike dhe vendimmarrja qytetare.
Gjendja dhe Problemet në Universitetin e Prishtinës
Raport analitik i hulumtimit mbi problemet dhe cilësinë e studimeve në Universitetin e Prishtinës. Po bëhen më shumë se dhjetë vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës (UP) ende vazhdon të vuajë nga një varg problemesh të ndryshme, si rezultat i të cilave kualiteti i studimeve në UP vazhdon të mbetet i pakënaqshëm. Për këtë arsye, BIRN-i ka vendosur që të bëjë një hulumtim, i cili ka një mostër përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, dhe i cili trajton problemet praktike të studentëve. Të dhënat nga hulumtimi tregojnë se problemet më të mëdha në UP (nga këto që ka mbuluar ky hulumtim) janë mos implementimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe të vlerësimit, mungesa e punës praktike, mungesa e literaturës adekuate të studimeve, vlerësimi jo objektiv i mësimdhënësve dhe raportet jo të mira student profesorë.
Problemet dhe të Metat e Teksteve Shkollore
Analizë e teksteve shkollore të Kosovës të ciklit të Shkollës së Mesme të Ulët (klasët VI, VII, VIII dhe IX). Roli dhe funksioni i teksteve shkollore në procesin e informimit, arsimimit dhe edukimit të nxënësve, vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm dhe, rrjedhimisht, cilësia e teksteve shkollore ka një rëndësi të veçantë për të ardhmen dhe karrierën e nxënësve. Prandaj, duke u nisur nga kjo, BIRN-i ka vendosur që, përmes një studimi dhe analize të mirëfilltë e objektive, të nxjerrë në pah disa probleme dhe të meta të teksteve shkollore të ciklit të Shkollës së Mesme të Ulët.
Raporti i Monitorimit të Sistemit Arsimor
Report on monitoring the elementary and high schools in Prishtina: Mitrovica, Ferizaj, Peja and Gjilan
Analytical report of the situation and the problems in the University of Prishtina
Bleni DVD-të
Disa episoda të emisionit televiziv "Jeta në Kosovë" tani mund t'i keni edhe në DVD. DVD-të mund t'i bleni në librarinë "Dukagjini" që gjendet në qendër të Prishtinës.
Më shumë
Na shkruani me komentet, propozimet ose rekomandimet tuaja, në mënyrë tejet konfidenciale.
Postoni komentet tuaja
Shkruani komentet tuaja për debatet e BIRN-it. Në ueb-faqen e re, BIRN-i dëshiron që të marrë drejtpërdrejt opinionet e juaja, përmes seksionit të komenteve.
Më shumë
Komentet:
Mr
Emri: 2007-03-07 10:57:33,
Zyrtaret e Kosoves duhet te kembegulin qe policia rumune te shkoje andeje nga ka ardhe. Heshtja do te thote pranimi se jeta e kosovarit eshte e lire dhe cdo kush mund ta merre ate pa asnje pergjegjsi. Duhet behet proteste zyrtare tek qeveria rumune dhe te pyeten ata se a kane derguar ne Kosove police per te mbajtur rend apo per te ta prishur ate.
tung
Emri: 2007-03-23 03:18:10,
Te pergezoj per raportin! TE LUMTE!