Fillojnë të shtënat e para në betejën diplomatike për Kosovën

Marëdhëniet diplomatike vihen në provë në një ndeshje mes përendimit dhe Rusisë.

Nga Tim Judah në Londër (Ballkan Insajt)

Edhe një ”Betejë e Kosovës” po afrohet shpejtë dhe të shtënat e para tanimë po dëgjohen.

Kjo betejë do të jetë diplomatike. Por, nëse kujtojmë deklaratën e Sllobodan Millosheviqit, ish liderit serb të njohur për fjalimin e tij në korrik të vitit 1989 në Gazimestan, “këto nuk janë beteja të armatosura, veçse një gjë e tillë nuk përjashtohet.”

Publiku është i vetëdijshëm për një gjë: se procesi negociues për statusin e Kosovës që zgjati 14 muaj tash ka përfunduar. Në javët e ardhshme, i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe ish presidenti finlandez, Marti Ahtisari, do t’ia dorëzoj planin e tij Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. Sekretari, më pas do ta dorëzojë këtë plan në Këshillin e Sigurimit.

Sikurse dihet, plani i Ahtisarit parasheh një Kosovë të pavarur me kushtëzime të ndryshme dhe me një autonomi të gjerë për pakicën serbe. Serbia e ka refuzuar këtë plan përderisa liderët shqiptarë të Kosovës e kanë pranuar.

Plani gjithashtu parasheh mbylljen e misionit të OKB-së në Kosovë dhe zëvendësimin e tij me një mision të BE-së në fushat e policisë dhe gjyqësisë dhe me një mision më të vogël, të udhëhequr nga i ashtuquajturi Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil, i cili do të gëzojë kompetenca të konsiderueshme për të intervenuar në jetën politike të Kosovës. Kjo pozitë është modeluar sipas shembullit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Të gjithë pajtohen se pasi statusi ndërkombëtar ligjor i Kosovës është i përcaktuar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i dha fund luftës në Kosovë në vitin 1999, një rezolutë e re është e nevojshme për t’i dhënë fund mandatit të OKB-së si dhe për t’i transferuar kompetencat tek Përfaqësuesi Civil.

Dhe mosmarrëveshjet fillojnë pikërisht këtu.

Diplomatët perëndimorë deri vonë kanë shpresuar që Rusia herët apo vonë do ta japë pajtimin e saj për pavarësinë e Kosovës. Ata kanë shpresuar se Rusia do ta mbështesë, apo të paktën nuk do ta kundërshtojë, një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mirëpo, përkundër këtyre shpresave diplomatët rusë kohëve të fundit kanë deklaruar se Rusia nuk do të mbështesë asnjë propozim i cili nuk do të jetë rezultat i marrëveshjes në mes të dy palëve. Pasi serbët dhe shqiptarët nuk mund të pajtohen rreth statusit të ardhshëm të territorit, kjo do të thotë se Rusia po kërcënon me përdorim të vetos.

Ajo që ende nuk dihet është nëse rusët me të vërtetë besojnë në deklaratat e tyre, apo nëse ata po nxisin tensione si pjesë e një strategjie për të nxjerrë koncesione nga ShBA-të në çështje të tjera.

Si rezultat i kësaj, disa gjëra kanë filluar të ndodhin si në skenën publike ashtu edhe në atë private. Prapa skenës, Ahtisari dhe diplomatët e tjerë perëndimorë pohojnë se Kosova paraqet një test të madh për Politikën e Përgjithshme të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, SFSP, e cila është dëmtuar mjaft nga lufta në Irak. Prandaj uniteti në këtë rast është esencial.

Ata pohojnë se BE-ja po përgatitet për një investim të madh politik dhe diplomatik në Kosovë, por pa unitet brenda BE-së dhe përtej atlantikut, Rusia do të arrijë ta përçajë Evropën duke destabilizuar situatën edhe më shumë.

Për këtë arsye, kritikët e Kosovës në BE tani po ballafaqohen me presione për të zbutur qëndrimin e tyre. Vendet sikurse Britania e Madhe, e cila fuqimisht mbështetë planin e Ahtisarit, kanë filluar të ushtrojnë presion mbi shtetet të cilat kanë shprehur skepticizëm ndaj pavarësisë së Kosovës, apo të cilat konsiderojnë se pavarësia do të sjellë pasoja të padëshirueshme për vendet e tyre.

Për shembull, Spanja, e cila ballafaqohet me probleme nga separatistët brenda shtetit, tani ka filluar ta konsiderojë unitetin e OKB-së si shumë më të rëndësishëm se sa dyshimet e saja ndaj pavarësisë së Kosovës. Sllovakia dhe Rumania gjithashtu kanë filluar të marrin qëndrime të njëjta.

Diplomatët pohojnë se shanset për sigurim të rezolutës së OKB-së në favor të planit të Ahtisarit janë më të mëdha nëse BE-ja dhe SHBA-të, së bashku ballafaqohen me Rusinë në këtë çështje.

Të shtënat e para në këtë përplasje vetëm janë dëgjuar. Me 13 mars, Richard Holbrooke, diplomati amerikan i cili ndërmjetësoi në arritjen e Marrëveshjes Paqësore të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995, publikoi një editorial mbi Kosovën në Ëashington Post.

Edhe pse Holbruku më nuk është zyrtar amerikan, ai konsiderohet se ende ka lidhje të ngushta me Departamentin e Shtetit Amerikan, prandaj edhe qëndrimet e tij ende kanë ndikim të madh.

Ai pohon se një tentim i Rusisë për ta përdorur veton, për ta ndryshuar apo vonuar planin e Ahtisarit, do të thotë se “paqja e brishtë në Kosovë do të zhduket brenda ditëve, dhe një valë e re e dhunës – e ndoshta edhe një luftë tjetër – do të ndizet.”

Ai shtoi se “nëse Rusia e bllokon planin e Ahtisarit, kaosi i cili do të pasojë do të jetë përgjegjësi e Moskës dhe kjo do të ndikojë në aspektet e tjera të marrëdhënieve të Rusisë me perëndimin.”

Me më rëndësi, Holbrooke thotë se nëse rezoluta e Këshillit të Sigurimit për Kosovën do të dështojë për shkak të Rusisë, atëherë shqiptarët e Kosovës do ta shpallin pavarësinë në mënyrë unilaterale dhe sipas të gjitha gjasave SHBA-të dhe shumë vende myslimane do ta njohin shtetin e ri, ani pse shumica e shteteve të BE-së nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Siguria dhe stabiliteti evropian dhe marrëdhëniet ruse me perëndimin – janë para një sfide,” tha ai.

Diplomatët vazhdojnë të insistojnë se nuk ka plan “B” që do të zëvendësonte planin e Ahtisarit. Sipas tyre, ekziston vetëm plani për pavarësi të “kontrolluar.” Alternativa është një pavarësi e “pakontrolluar” sepse pa rezolutë nuk mund të ketë mision të BE-së dhe Përfaqësues Civil.

Disa diplomatë vetëm kanë filluar të mendojnë se çka do të ndodhë nëse plani i Ahtisarit dështon. Megjithatë, askush nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë. Ende askush nuk dëshiron ta paramendojë një katastrofë në Kosovë.

Nëse artikulli i Holbrooke është e shtëna e parë në një luftë diplomatike, atëherë ne mund të presim edhe më shumë të tilla. Në ndërkohë, sigurisht se do të ndodhin bisedime prapa skenës për të cilat ne kurrë nuk do të dëgjojmë, apo të paktën deri në atë moment kur librat e historisë të shkruhen.

Tim Juda është analist i Ballkanit dhe autor i librit Serbët: Historia, Miti dhe Shkatërrimi i Jugosllavisë, dhe Kosova: Luftë dhe Hakmarrje. Ballkan Insajt është publikim i BIRN-it në internet.


PRINT THIS ARTICLE
Copyright BIRN 2010