Kthimi në kampet e turpit

Pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkali e egjiptianë të cilët po kthehen për të jetuar në Kosovë, përballen me kushte të rënda ekonomike që pamundësojnë integrimin e tyre në shoqëri.

Nga Adem Beha e Besnike Salihu në Mitrovicë, Lipjan dhe Prishtinë
  

Në vitin 2005, Komisioni Evropian ka shpallur një politikë integruese ndaj komuniteteve Romë, Ashkali e Egjiptian, RAE, të emëruar “Dekada e Romëve”.

Shtetet e Evropës Juglindore iu janë përkushtuar implementimit të kësaj politike që të përshpejtojnë integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, BE, përmes integrimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në shoqëritë e tyre.

Por në Kosovë, këto komunitete ende nuk janë integruar sa duhet në shoqërinë kosovare. Për më shumë, ato i janë nënshtruar një procesi të kthimit të parakohshëm nga vendet e BE-së, ku kanë qëndruar si refugjatë.

Pjesëtarët e komuniteteve RAE, që pas konfliktit të vitit 1999 janë kthyer në Kosovë, janë të izoluar si nga shoqëria ashtu edhe nga institucionet e Kosovës.

Pozicioni i UNHCR i shprehur nëpërmes “ UNHCR position on the continued international protection needs of individuals from Kosovo” i qershorit të vitit 2006, thekson se “komuniteti Ashkali në Kosovë nuk është i rrezikuar dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”
Bazuar në këto raporte, misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, dhe Qeveria e Gjermanisë, kanë nënshkruar marrëveshje në Mars të vitit 2003 për kthimin e Ashkalive të strehuar në Gjermani për në Kosovë.
Më pas, për çdo vit është ri-nënshkruar marrëveshja mes UNMIK-ut dhe Qeverisë Gjermane për kthimin e Ashkalive. Marrëveshja e fundit është bërë në Janar të vitit 2006.
Në procesin e kthimit të pavullnetshëm, nuk janë kursyer as personat me aftësi të kufizuara e madje as ata të cilët nuk kanë qenë të lejuar nga mjekët që të udhëtojnë.

Pas kthimit në Kosovë, pjesëtarët e komuniteteve RAE po ballafaqohen me kushte të rënda të jetës dhe diskriminim. Shumë nga ta ende jetojnë në kampe kolektive.

FATKEQËSIA KOLEKTIVE

Shumë njerëz e patën lëshuar Kosovën në vitin 1999 si pasojë e represionit të regjimit të Millosheviqit si dhe bombardimit të NATO-së.

Pas përfundimit të luftës, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, shumë prej tyre nuk janë kthyer më. Në mesin e atyre që nuk janë kthyer ka edhe pjesëtarë të komunitetit Ashkali.

“Në periudhën 2000 - 2006, 1576 romë dhe 3933 Ashkali dhe Egjiptian janë kthyer në Kosovë”, thuhet në raportin e publikuar nga  Kosovo Roma and Ashkalia Forum, Our Position 2006. Kthimi është bërë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut dhe qeverisë gjermane.

“Marrëveshja është nënshkruar nga UNMIK-u dhe Qeverinë Gjermane” tha Neeraj Singh, zëdhënës i informimit në UNMIK.

Marrëveshja e fundit për kthimin e Ashkalive, mes UNMIK-ut dhe Qeverisë Gjermane, është nënshkruar në Janar 2006. Kjo marrëveshje precizon procedurat dhe numrin e Ashkaliëve që duhet të kthehen nga Gjermania.

Nehat Sahiu, një 45 vjeçar nga Hallaqi i Vogël, është njëri nga pjesëtarët e komuniteteve RAE të cilëve u janë refuzuar kërkesat për të qëndruar në Gjermani.

Ai tregon se si qeveria gjermane i ka detyruar ata të kthehen. “Erdhën në ora 5 të mëngjesit dhe na detyruan të largohemi. Janë sjellë me neve sikur të ishim vrasës” tregon Nehati.

Bakiu, i biri i Nehatit është një djalë shumë i zbehtë e me trup të pazhvilluar. Ani pse i ka 17 vjet, Bakiu duket si të jetë 10 vjeç. Ai vuan nga akrofobia, - që sipas definimit mjekësor thuhet se është  një frikë irracionale nga lartësitë.

Familja Sahiu tani jetojnë në një shtëpi që i përket një të afërmi të tyre. Ata janë larguar nga Kosova dhe më pas janë kthyer në Kosovë, pa dëshirën e tyre.

Por Neraj Singh tha se “asnjë komunitet nuk është shënjestër i kthimit në ndonjë mënyrë të disfavorshme, por trajtohet në bazë politikave të UNMIK-ut, të bazuara në ‘Position Paper’ të UNHCR-së, të korrikut të vitit 2006”.

”Si pjesë e mandatit të tanishëm të Kombeve të Bashkuara, UNHCR-u nuk e përkrah kthimin e detyrueshëm”, thotë në anën tjetër Myrna Brewer Flood, zyrtare për informim në UNHCR.

Lutfi Haziri, zëvendës Kryeministër i Kosovës,  thotë se “e  drejta e kthimit të zhvendosurve në vendet e tyre është e shenjtë; është obligim ligjor dhe e drejtë e patjetërsueshme e çdo individi”.

Bashim Ibishi nga Forumi i Romëve dhe Ashkalive të Kosovës, një ombrellë e organizatave jo-qeveritare që merren me çështjet e komuniteteve RAE, mendon se arsyet e kthimit të detyrueshëm janë të pabaza.

“E drejta për tu kthyer është e drejta e shenjtë, por kur kthimi bëhet i dhunshëm atëherë shkelet e drejta vullnetare për tu kthyer “, thotë Ibishi.

“Në Kosovë ka korrupsion, krim të organizuar dhe hakmarrje, të gjitha këto elemente që tregojnë rrezikshmërinë”, tha ai, duke shtuar se arsyeja për kthimin, e bazuar në faktin se Ashkalitë nuk janë të rrezikuar në Kosovë, nuk qëndron.

MË PAK SE 1 EURO NË DITË

43% të kosovarëve janë të papunë. Kështu thonë statistikat zyrtare të ministrisë për punë e mirëqenie sociale.

Për më shumë, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se 37% të popullatës janë të varfër kurse 15% jetojnë në varfëri të skajshme.

Për pjesëtarët e komunitetit RAE situata nuk është më e mirë. Në fakt, për ta ka shumë arsye të jetë edhe më keq.

Gëzim Gashi, lider i ashkalive të Kosovës theksoi se nuk ka kushte ekonomike në mënyrë që të përballohet procesi i kthimit.

“Nëse vazhdohet më një kthim të tillë ne do të organizojmë protesta” tha ai i brengosur për gjendjen e keqe ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të kthyer.

“Kthehet, tenton me u integrue, s’mundet; merr borxh 2500 Euro dhe migron përsëri” sqaron Bashkim Ibishi.

Edhe qeveria e Kosovës e parasheh si problem kthimin e menjëhershëm.

Më shumë se 40,000 familje marrin asistencë sociale, e cila është minimale. Përkundër këtij fakti, Agron Bacaj nga ministria për punë e mirëqenie sociale thotë se kjo asistencë i kushton buxhetit të Kosovës shumë.

“Ministria ndan 2,4 milionë euro çdo muaj” për të mbuluar këto ndihma, tha Bacaj.

Nëse kësaj i shtohen edhe një numër i madh i të kthyerve nga Perëndimi, kjo do ta rëndonte gjendjen ekonomike të Kosovës, vazhdoi ai.

Por autoriteti ndërkombëtar në Kosovë nuk pajtohet me këtë.

“Gjendja kritike ekonomike nuk mund të jetë bazë që qeveria  të mos pranojë kthimin e njerëzve të saj” thotë Singh.

DËSHTIM I KUJT?

Por në fakt të kthyerit dhe aktivistët e shoqërisë civile që punojnë për integrimin e tyre fajësojnë UNMIK-un, për proces të pallogaritur të kthimit.

Agim Hyseni nga “Shpresa Demokratike”, një organizatë jo-qeveritarë që po ashtu merret me komunitetet RAE, mendon se UNMIK-u ka dështuar që të kryej si duhet kthimin e personave të zhvendosur përbrenda Kosovës. Ai madje akuzon UNMIK-un të ketë shkelë të drejtat elementare njerëzore duke nënshkruar marrëveshje për kthim të pavullnetshëm të romëve, ashkalive e egjiptianëve në Kosovë.

Por Neraj Singh nga UNMIK-u tha se “kthimi nuk është në kundërshtim me Ligjin Ndërkombëtar”.

Bashkim Ibishi insiston se kthimi jo vullnetar i refugjatëve të ikur gjatë luftës është në shpërputhje me Konventën e Gjenevës.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNJ, theksoi se “dëbimi me dhunë i refugjatëve dhe detyrimi të shkojnë në vend ku nuk kanë mundësi integrimi është shkelje e të drejtave të njeriut”.

Zyrtarët e misionit diplomatik të Gjermanisë në Kosovë nuk deshën të komentojnë këtë çështje.

Në ndërkohë që qeveria e Kosovës e ka vënë procesin e kthimit si prioritet kombëtar.

“Prioritet i institucioneve të Kosovës në politikat e kthimit si strategji nacionale është që ky proces të mos stagnoj, por pavarësisht nga rrethanat të punohet në këtë drejtim”, tha për BIRN Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Por pjesëtarët e komuniteteve RAE kanë kritika edhe për qeverinë.

“Nëse qeveria nis kthimin atëherë duhet të sigurohet që të kthyerit të mos shndërrohen automatikisht në lypsa” tha Gëzim Gashi.

Ibish Bajrami, zëvendësministër në ministrinë për kthim, tha se “do të ishte shumë më mirë që me zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës të bëhej kthimi i plotë sepse kështu do të ishte më lehtë pranimi i tyre”.

Në ndërkohë që disa mendojnë se kthimi i tanishëm është një proces i ngutshëm që nuk do duhej të ndodhte pa u krijuar kushtet paraprake.

Andi Bushati, nga European Roma Right Center, tha se pjesëtarët e komuniteteve RAE “nuk duhet kthyer në në Kosovë pa krijuar kushte të përshtatshme për një kthim dinjitoz që garanton lirinë e lëvizjes, punësimit, banimit, arsimimit e shëndetësisë”.
    
DEKADA E KAMPEVE

Kushtet për ata që kthehen janë minimale. Integrimi në shoqëri po ashtu. Edhe pse shumë të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës kanë tentuar të kthehen në shtëpitë e tyre, shumë prej tyre kanë ngelur të jetojnë nëpër kampe kolektive.

Kampet kanë qenë një zgjidhje afatshkurtër dhe emergjente në pamundësi që të krijohen kushtet për t gjithë ata që kanë dashur të kthehen.

Që nga viti 1999, në pjesën veriore të Kosovës ekzistojnë dy kampe të tilla, Cesming Lug dhe Osterode.

Deri në vitin 1999, në këtë pjesë të Kosovës ka qenë e shtrirë lagja “Fabricka Ulica”, vendbanimi i dytë rom për kah madhësia në tërë Evropën. Kjo lagje është shkatërruar kurse shumica prej banorëve të saj tani jetojnë në kampe kolektive.

“U bënë 8 vjet premtime se do të kthehemi nëpër shtëpi dhe se këto kampe do të shkatërrohen” thotë Skender Gushnjani, lider i kampeve të Mitrovicës së Veriut.

“Ndërkombëtarët kanë dështuar ta bëjnë këtë”, vazhdon ai.

Tani në Kampet Cesmin Lug dhe Osterode, në Mitrovicën Veriore, jetojnë afërisht 600 pjesëtarë të komuniteteve RAE.

“Para vitit 1999 në Mëhallën e Romëve në pjesën Jugore të Mitrovicës kanë jetuar afërisht 8 mijë romë e ashkali”, tha Skender Gushnjani lideri i kampeve Cesmin Lug dhe Osterode.

Në këto kampe jetojnë edhe persona që janë detyruar të kthehen nga vendet Perëndimore.

Familja pesëanëtarëshe Jahiroviq është njëra nga ta.

“Na kanë gënjyer. Na thanë se si të kthehemi, do të kemi të shtëpi të re,  por kjo s’ka ndodhur ende” na tha vajza 17 vjeçare nga kjo familje

Një nga të dërguarit special të OKB-së për Kosovën, diplomati norvegjez Kai Eide, në një raport të tij për Kosovën, të cilin e ka porositur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në vitin 2005, i është referuar këtyre kampeve si turpi i strukturave institucionale të Kosovës

“Ekzistimi i vazhdueshëm i kampeve brenda Kosovës është turp për strukturat qeverisëse dhe për komunitetin ndërkombëtar”, thotë ky raport.

Në fund të rrugës që të shpie për në Osterode, një grafit shkruan “mirë se vini në ferr”.

Nehat Sahiu, vazhdon të ankohet.

“Pa shtëpi, pa ndihmë ekonomike, pa mundësi për të punuar dhe me djalë të sëmurë, nuk më ka mbetur gjë tjetër vetëm të bëjë vetëvrasje”, thotë ai.

Nëse askush nuk do të merret me hallet e tij, ai e ka ndërmend ta lëshojë Kosovën sërish.

“Kam vendosur të marr para hua të një kushëri imi, i cili do ta shes së shpejti lopën e tij të vetme... dhe me ato pare të iki nga Kosova” vazhdoi Nehati.


[Ky artikull është përkrahur nga The Danish Association of Investigative Journalism.]


PRINT THIS ARTICLE
Copyright BIRN 2010