
Jetë në Kosovë diskuton për situatat emergjente
Sonte, Jeta në Kosovë, transmeton debat për situatat emergjente në vendin tonë.
Më shumë
Klikoni këtu për të shikuar edicionin e fundit të emisionit "Jeta në Kosovë"!
Më shumë
26 tetor 2007 Derisa negociatat për statusin e Kosovës kanë stagnuar, po rritet përkrahja për një shpallje të njëanshme të pavarësisë.
Nga Krenar Gashi në Prishtinë
Rexhep Selimi ulet i qetë në restorantin e vet në Prishtinë. “Kosova duhet të shpallë pavarësinë”, thotë ai me vendosmëri, duke pirë edhe një gllënjkë kafeje nga një filxhan i vogël.
Ish gjeneral në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Selimi po ashtu ka qenë ministri i parë i punëve të brendshme, në vitin 1999, në qeverinë e përkohshme që nuk është njohur nga autoritetet ndërkombëtare.
“Kjo është hera e parë që atëherë, që sinqerisht besoj se ne duhet të shpallim pavarësinë pas 10 dhjetorit”, thotë ai.
Numri i shqiptarëve të Kosovës që ndajnë të njëjtin mendim si Selimi është në rritje.
Shumica e kosovarëve besojnë që pas 10 dhjetorit, afat ky i vendosur nga bashkësia ndërkombëtare për përfundimin e fazës aktuale të negociatave, Kosova duhet të bëhet e pavarur.
Ekziston një preokupim i përgjithshëm për atë se çfarë do të ndodhë pas kësaj datë. Kjo më së miri vërehet në mesin e studentëve. Në sallat me televizorë nëpër konviktet e Universitetit të Prishtinës, vështirë mund të gjesh një vend për tu ulur mbrëmjeve kur transmetohet lajmet qendrore.
Kjo ceremoni vazhdon me një diskutim të pafund, në dhomat e fjetjes apo në kafenetë përreth universitetit.
“Të gjithë jemi të brengosur për çështjen e statusit”, thotë Besim Ramadani, një student i letërsisë. “Kemi pritur mjaft. Tani kemi nevojë të jemi të pavarur, kemi nevojë të kemi identitet”.
Ramadani bie në rangun e atyre pak më radikalë dhe beson që pavarësia është dashur të deklarohet para së të fillojë periudha shtesë negociuese prej 120 ditëve.
“Parlamenti [i Kosovës] është dashur të shpallë pavarësinë kur kanë vendosur të përkrahin planin e Ahtisaarit. Nuk është dashur vetëm ta përkrahin por edhe të shpallin pavarësinë bazuar në atë plan dhe të fillojnë implementimin e tij”, thotë ai.
Ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari është ngarkuar nga OKB-ja të përpilojë një propozim për statusin final të Kosovës pas përfundimit të pasuksesshëm të fazës së parë të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, në fillim të vitit 2007.
Propozimi është publikuar në shkurt dhe rekomandon pavarësi ndërkombëtarisht të mbikëqyrur për Kosovën. Megjithatë, për shkak të kundërshtimeve ruse ky propozim nuk arriti të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Si pasojë, ka nisur një fazë e re e negociatave me ndërmjetësim nga një “trojkë”, e përbërë nga përfaqësuesit e SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë.
Rexhep Selimi beson që Kosova ka vepruar korrekt duke mos marrë hapa të njëanshëm më parë.
“Prej vitit 1999 ka pasur shumë iniciativa për të shpallur pavarësinë njëanshëm dhe unë kam qenë gjithnjë aty për t’i kundërshtuar dhe kritikuar ato. Por, tani mendoj se ne [shqiptarët e Kosovës] i kemi përmbushur detyrat tona”, thotë Selimi. Ai beson që negociatat aktuale nuk do të nxjerrin asgjë të re dhe se parlamenti i Kosovës duhet të marrë çështjen në duart e veta.
“Statusi i Kosovës sot është një nga tri çështjet më të rëndësishme globale. Ne jemi në majë të agjendës diplomatike, duke qenë temë diskutimi në mes të Bushit dhe Putinit, në Këshill të Sigurimit dhe në çdo takim të rëndësishëm diplomatik”, thotë Selimi, duke shtuar se çështja duhet të zgjidhet së shpejti pas afatit të fundit në dhjetor.
Petrit Nimani, kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë, USSH pajtohet. Nimani, një student 23 vjeçar i shkencave politike, tregon se si unioni i tij ka organizuar një protestë kundër shtyrjeve të pavarësisë së Kosovës me 10 tetor dhe se është duke u përgatitur për një demonstratë edhe më të madhe për 10 dhjetor.
Në mes të tjerash, Nimani nxjerr në pah që dështimi për të zgjidhur statusin e Kosovës ka një ndikim direkt negativ tek studentët e Kosovës, të cilët nuk mund të anëtarësohen nëpër organizata ndërkombëtare studentore apo të pajisen me kartela ndërkombëtare të studentëve.
“Ne do të organizojmë një protestë që do të fillojë me 10 dhjetor dhe do të jetë e vazhdueshme”, thotë ai. “Ne presim që të marrin pjesë rreth 50,000 veta dhe kemi për qëllim të paralizojmë jetën institucionale në Kosovë derisa të merret një hap konkret drejt pavarësisë. Nëse jo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së apo komuniteti ndërkombëtar, ne do të kërkojmë së paku që parlamenti të shpallë pavarësinë”, përfundon ai.
Selimi, i cili i kupton brengat e studentëve, thotë se “pavarësia nuk është më vetëm një kërkesë politike e Kosovës por edhe një nevojë praktike e të gjithë kosovarëve”. Për këtë arsye, shton Selimi, “qytetarët mund të përdorin mjete praktike nëse pavarësia rrezikohet”.
Derisa shumë qytetarë besojnë që Kosova duhet të marrë hapa të njëanshëm drejt pavarësisë, politikanët e Kosovës deri vonë kanë qenë të ndarë në këtë çështje.
Ekipi i Unitetit, një trup negociues pesë anëtarësh, me mandat të merret me çështjet e lidhura me statusin, nuk ishte unik sa i përket shpalljes së njëanshme.
Kryetari Fatmir Sejdiu dhe lideri opozitar i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Hashim Thaçi, refuzuan të flasin për hapat e njëanshëm.
Por Kryeministri Agim Çeku dhe udhëheqësi i partisë reformiste ORA, Veton Surroi, e përmendën shpalljen e njëanshme si një mundësi alternative.
“Ne nuk duam që të befasojmë askënd me veprimet tona. Duam t’i tregojmë të gjithëve qëllimet tona dhe duam që të kërkojmë përkrahjen e të gjithëve”, Çeku u tha gazetarëve javën që shkoi, duke tërhequr vërejtjen sërish se Kosova mund të shpallë pavarësinë nëse negociatat dështojnë të përfundojnë me një kompromis.
Por edhe Sejdiu e Thaçi, së fundi kanë filluar të flasin për zgjidhje alternative.
“Ne konsiderojmë që 10 dhjetori do të shënojë fundin e këtij procesi të negociatave”, ka deklaruar Sejdiu javën e kaluar. “Ne konsiderojmë se procesi përfundon aty. Për neve është shumë e rëndësishme të lëvizim sa më shpejt”.
Ndonëse ende ngurrues për të qenë i përpiktë në çështjen e hapave të njëanshëm, në një debat publik me 19 tetor në Prishtinë, Thaçi ka thënë se “Kosova do të ketë agjendën e vet pas 10 dhjetorit”.
“Miqtë tanë që na kanë përkrahur në 1999 dhe na kanë premtuar intervenimin e NATO, tani janë duke na premtuar që Kosova njohjen”, ka thënë Thaçi.
“Dhe ne nuk kemi nevojë për ndonjë shpallje… Kosovës i duhet njohja”, ka thënë ai.
Më 1990, parlamenti i atëhershëm Kosovës që kishte autonomi në kuadër të federatës Jugosllave miratoi një rezolutë që shpallte territorin një republikë të barabartë brenda federatës.
Disa muaj më vonë parlamenti po ashtu miratoi një kushtetutë që shpallte Kosovën shtet të pavarur. Asnjëri nga këto veprime s’është njohur ndonjëherë ndërkombëtarisht.
Sot situate është plotësisht ndryshe sepse Kosova nuk është më nën kontrollin e Serbisë. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një shpallje e njëanshme e pavarësisë do të krijonte probleme tjera si p.sh. të sjellë përçarje brenda BE. Si rezultat, më pak vende do të njihnin Kosovën dhe kjo do të vështirësonte që shteti i ri t’i bashkohej organizatave ndërkombëtare.
Në ndërkohë, brenda vet Kosovës, një lëvizje e njëanshme do të mund të nxiste serbët, të cilët kontrollojnë një pjesë të qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe zonën veriore të tij, të shpallnin pavarësinë e kësaj zone.
Rexhep Selimi, ani pse mbetet optimist, insiston që shpallje nga kosovarët do duhej të ishte hapi i parë.
“Ne kemi përkrahjen e duhur ndërkombëtare për të shpallur pavarësinë pas 10 dhjetorit. Askush nuk do të vijë ta shpallë për neve. Ne duhet ta bëjmë vetë”, thotë ai.
Jeta Abazi, një tjetër studente e shkencave politike, pajtohet. “Kjo është njëjtë si kur dëshiron të hysh në punë dhe në mënyrë që ta bësh këtë së pari duhet të aplikosh”, thotë ajo. Abazi beson se pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë pas 10 dhjetorit, parlamenti i Kosovës do të duhej të shpallte pavarësinë dhe të fokusohej për të fituar përkrahjen ndërkombëtare, por vetëm pas një shpalljeje zyrtare.
Rexhep Selimi mbetet i qetë dhe optimist, por ai ka një rekomandim për lidershipin e Kosovës. “Energjinë që janë duke e shpenzuar për të bindur botën që janë të aftë për të qenë shtet, do të duhej ta investonin për ta bindur botën për të njohur atë shtet”, thotë ai.
Krenar Gashi është redaktor për Kosovë i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. Balkan Insight është publikim i BIRN-it në internet.
PROCESI I EMËRIMIT DHE RIEMËRIMIT TË GJYKATËSVE DHE PROKURORËVE
Raporti për emërimin dhe riemërimin e gjykatësve dhe prokorurorëve analizon rrjedhën e këtij procesi duke u foksuar në anët pozitive dhe ato të errëta që kanë karakterizuar këtë proces deri në përmbyllje të tij.
RAPORTI I MONITORIMIT TE GJYKATAVE PRILL 2010 - SHKURT 2011
Raporti për monitorimin e gjykatave është nxjerrë në bazë të monitorimit të vazhdueshëm në të gjitha gjykatat komunale dhe të qarkut të Kosovës. Të gjeturat e këtij raporti bazohen në monitorimin e 2,147 seancave gjyqësore nga ana e monitoruesve të BIRN-it.
Procesi i emërimit/riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve
Procesi i emërimit/riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve
NDIQ GJURMËT NËPËR LETRA
UDHËZUES PËR GAZETARI hulumtuese të bazuar në dokumente në Kosovë-shkurt 2011
Raporti i Monitorimit të Gjykatave 2010
Një raport i detajuar analitik për punën dhe administrimin e gjykatave të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt, Gjakovës,Deçanit, Vushtrrisë, Podujevës, Lipjanit, Klinës dhe Istogut. Raporti përmban informata të rëndësishme të grumbulluara nga rrjeti i monitoruesve, të vendosur në komunat
kryesore të Kosovës dhe ka për synim identifikimin e problemeve dhe çështjeve kryesore me të cilat përballet
sistemi gjyqësor në Kosovë.
Raporti i monitorimit të gjykatave 2009
Monitorimi i punës dhe i administrimit të gjykatave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Vushtrri dhe Skenderaj.
SISTEMI I ZGJEDHJES SË DREJTPËRDREJTË TË KRYETARIT NË QEVERISJEN LOKALE
Raporti Sistemi i Zgjedhjes së Drejtëpërdrejtë të Kryetarit në Qeverisjen Lokale synon të ofrojë një pasqyrë kritike për arsyeshmërinë dhe zbatueshmërinë e sistemit qeverisës komunal me Kryetarin e komunës si figurë qendrore ekzekutive, në vitin e tretë të zbatimit të tij. Shtyllat në të cilat është hulumtuar efikasiteti i këtij sistemi janë: raportet mes organeve të pushtetit lokal, llogaridhënia e ekzekutivit, respektimi i ligjit, lidhja e kryetarit me qytetarët, ofrimi i shërbimeve publike (furnizimi me ujë dhe menaxhimi i hedhurinave, investimet kapitale (në projekte shkollash e rrugësh), niveli i transparencës, konsultimet publike dhe vendimmarrja qytetare.
Gjendja dhe Problemet në Universitetin e Prishtinës
Raport analitik i hulumtimit mbi problemet dhe cilësinë e studimeve në Universitetin e Prishtinës. Po bëhen më shumë se dhjetë vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës (UP) ende vazhdon të vuajë nga një varg problemesh të ndryshme, si rezultat i të cilave kualiteti i studimeve në UP vazhdon të mbetet i pakënaqshëm. Për këtë arsye, BIRN-i ka vendosur që të bëjë një hulumtim, i cili ka një mostër përfaqësuese, gjithëpërfshirëse, dhe i cili trajton problemet praktike të studentëve. Të dhënat nga hulumtimi tregojnë se problemet më të mëdha në UP (nga këto që ka mbuluar ky hulumtim) janë mos implementimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe të vlerësimit, mungesa e punës praktike, mungesa e literaturës adekuate të studimeve, vlerësimi jo objektiv i mësimdhënësve dhe raportet jo të mira student profesorë.
Problemet dhe të Metat e Teksteve Shkollore
Analizë e teksteve shkollore të Kosovës të ciklit të Shkollës së Mesme të Ulët (klasët VI, VII, VIII dhe IX). Roli dhe funksioni i teksteve shkollore në procesin e informimit, arsimimit dhe edukimit të nxënësve, vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm dhe, rrjedhimisht, cilësia e teksteve shkollore ka një rëndësi të veçantë për të ardhmen dhe karrierën e nxënësve. Prandaj, duke u nisur nga kjo, BIRN-i ka vendosur që, përmes një studimi dhe analize të mirëfilltë e objektive, të nxjerrë në pah disa probleme dhe të meta të teksteve shkollore të ciklit të Shkollës së Mesme të Ulët.
Raporti i Monitorimit të Sistemit Arsimor
Report on monitoring the elementary and high schools in Prishtina: Mitrovica, Ferizaj, Peja and Gjilan
Analytical report of the situation and the problems in the University of Prishtina
Bleni DVD-të
Disa episoda të emisionit televiziv "Jeta në Kosovë" tani mund t'i keni edhe në DVD. DVD-të mund t'i bleni në librarinë "Dukagjini" që gjendet në qendër të Prishtinës.
Më shumë
Na shkruani me komentet, propozimet ose rekomandimet tuaja, në mënyrë tejet konfidenciale.
Postoni komentet tuaja
Shkruani komentet tuaja për debatet e BIRN-it. Në ueb-faqen e re, BIRN-i dëshiron që të marrë drejtpërdrejt opinionet e juaja, përmes seksionit të komenteve.
Më shumë
Komentet:
Nuk ka komente.